Ka ndërruar jetë në moshën 68 vjeçare ish-skënderbegasi, poeti dhe ushtaraku Flamur Bërdëllima. Lajmi i trishtë është bërë me dije nga miku i të ndjerit, Kujtim Boriçi, i cili zbulon dhe amanetin që ka lënë Bërdëllima pak para se të mbyllte sytë dhe të ikte nga kjo botë
“Mbi pllakën e varrit të më shkruhet: Kam jetuar vetëm 4 vite jetë, ato të shkollës Skënderbej”, shkruan Boriçi në postimin e tij.
Postimi i Plotë i Kujtim Boriçit:
LAJM I DHIMBSHËM. NDAHET NGA JETA SKËNDERBEGASI,
USHTARAKU, POETI E SPORTISTI I NJOHUR, FLAMUR BËRDËLLIMA
Amaneti qe la: “MBI PLLAKËN E VARRIT TË MË SHKRUHET: ‘KAM JETUAR VETËM 4 VJET JETË, ATO TË SHKOLLËS SKËNDERBEJ!”
Sot, të martën paradite, 18 janar 2022, u nda nga jeta në moshën 68 vjeçare, ish-skënderbegasi, ushtaraku, poeti, gazetari, shkrimtari dhe sportisti i njohur, shoku e miku jonë, Flamur Bërdëllima. Ngushëllime familjarëve, miqve e shokëve të tij për këtë humbje të rëndë! I shtrenjti Flamur, me dorën, e tij, me shkrim, ka lënë amanetin: “MBI PLLAKËN E VARRIT TË MË SHKRUHET: ‘KAM JETUAR VETËM 4 VJET JETË, ATO TË SHKOLLËS SKËNDERBEJ!”!
Më poshtë, po japim amanetin e Flamurit bashkë me kujtimet që ai ka lënë (shkëputur nga Volumi i Parë, i kolanës “Skënderbegasit ndër vite”), për shkollën ‘Skënderbej’ dhe jetën e tij.
I përjetshëm kujtimi i tij!
…Skënderbegasi Flamur Bërdëllima, publicist dhe sportist i njohur, është dhe mbetet një ndër personazhet më karizmatik e të dashur jo vetëm për ata që kanë kryer Shkollën Ushtarake “Skënderbej” në brezin e tij, por dhe për breza të tjerë e publikun shqiptar.
Ai është autor i shumë librave të botuara, ga-zetar profesionist në shumë vite dhe aktivist i
njohur shoqëror. Flamur Bërdëllima u lind më 14 janar të vitit 1954 në Tiranë dhe banon po
në Tiranë. Është i martuar dhe ka dy fëmijë. Pas përfundimit të arsimit 8-vjeçar në kryeqytet,
Flamuri nisi studimet në Shkollën Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë në vitin 1979. Ai ishte jo vetëm nxënës i mirë, por njëkohësisht edhe një basketbollist i shquar, që arriti deri në formacionet e ekipit të njohur të “Partizanit”. Krahas arsimit ushtarak, Flamur Bërdëllima
ka kryer dhe Fakultetin e Histori-Filologjisë së Universitetit Shtetëror të Tiranës, Fakultetin
Ekonomik, dega Plan po në këtë universitet, kursin njëvjeçar pasuniversitar të historisë, kursin pasuniversitar të psikologjisë dhe kursin pasuniversitar të filozofisë. Ka titullon shkencor Kandidat i Shkencave Historike,. Ka këto eksperienca pune: Minator në sektorin Mushqeta; mësues në rrethin e Pukës; Instruktor në Bashkimet Profesionale të rrethit Tiranë, Rajoni nr 2; gazetar në gazetën “Pasqyra”; Drejtor i Shtëpisë së Pionierit Kombinat në Tiranë. Në veprimtarinë intelektuale ka me mijëra artikuj gazete, telereportazhe, dokumentarë televiziv, emisione në radio dhe është autor i 15 librave artistik. Flet turqisht, anglisht dhe frëngjisht.
KUJTIME NGA SHKOLLA ‘SKËNDERBEJ’
…Unë kam lënë një amanet, që kur të vdes, mbi pllakën e varrit të më shkruajnë: “Flamur Bërdëllima. Ka jetuar vetëm 4 vite jetë, ato të shkollës ‘Skënderbej’, vitet e tjera kanë qenë zi e më zi!”. Shkolla Ushtarake “Skënderbej”, në të cilën unë studiova e u arsimova katër vite, ka qenë një vatër e dashur, e ngrohtë, një shkollë ku shkollimi e edukimi ishin jo vetëm cilësor, por dhe kalisnin tek nxënësi vullnetin, ndërgjegjen, vëllazërinë e shpirtmirësinë. Ndaj dhe sot që unë i kam kaluar të gjashtëdhjetat, e them me plot gojën se ‘kam jetuar vetëm katër vite jetë’, pasi ata ishin vitet më të bukura e me vlerë në jetë, larg hipokrizisë që ka mbërthyer shoqërinë, larg meskinitetit, egërsisë ndaj të tjerëve për mbijetesë, larg frymës të së keqes që mbizotëron në
çdo qelizë të vendit e shoqërisë. Sigurisht, si çdo njeri, dhe unë kam pasur në jetë gëzime e hidhërime, suksese e dështime, por ato vite mbeten vite të arta… Kur vajta skënderbegas, unë mësoja, por dhe jetoja shumë. Kjo për shkak të gjendjes së vështirë familjare, pasi dhe babanë e kisha me sëmundje të rëndë, nga e cila u nda shumë shpejt nga jeta. Gjithë ditën mësoja e studioja, ndërsa gjatë gjithë natës punoja si hamall ngarkim-shkarkimi makinash ku siguroja ndonjë të ardhur për familjen. Në mëngjes, kur të tjerët çoheshin nga gjumi, unë gjendesha në shkollë e kryeja orarin ditor të veprimeve bashkë me ‘ta. Përveç disa shokëve, këtë e dinte dhe komandanti Tosun Alushi, por kurrë ai nuk foli për këtë shkelje që bëja unë. Pra, në këtë shkollë, përveç arsimimit, gjeta një kolektiv shokësh të mrekullueshëm të cilët nuk mund të harrohen kurrë. Ishin shokë të vitit tim, por dhe të viteve më pas apo dhe para meje… Nuk mund të harroj kolegët poetë e shkrimtar Fatmir Musai, Arben Duka, Kujtim Boriçi, e shumë të tjerë… Nuk mund të harroj shokët e mi basketbollistë të skuadrës, sportistë të njohur të “Partizanit” dhe ekipit kombëtar Kastriot Mushin Avenir Kalanë dhe të mrekullueshmin, trajnerin e madh Njazi Lleshi. Nuk mund të harrohet dhe komandanti i kompanisë Pajtim Abazi, etj… Dhe sot, kur kanë kaluar më shumë se katër dekada e gjysmë, kur takohemi, takohemi me mall e nostalgji, me të gjithë skënderbegasit, me mësuesit e mësueset tona të mira, me komandantët dhe komisarët e dikurshëm. Është mall e dashuri e një jete të mrekullueshme, ku kishte vlerën maksimale fjala shoqëri, vëllazëri e fjala Njeri.
Sot në këto kohë të egra, kur e keqja mbizotëron mbi të mirën, koha e Shkollës Ushtarake “Skënderbej”, është një leksion mirësie e dashurie të munguar jo vetëm për ne skenderbegasit, por për gjithë shoqërinë shqiptare që po lëngon aq shumë sot…