
Komuniteti Mysliman: Distancohemi nga individë që përdorin fenë për qëllime të ulëta
Rasti i mjekut kardiokirurg që u arrestua me akuzën për abuzim me të miturën 16-vjeçare ka ngjallur reagime të shumta. Për psikologen Denata Toçe ky është një rast pedofilie.
“Ky lloj abuzimi është ndër abuzimet që gjendet tek të miturit, sidomos në rastet e pedofilisë se unë do ta konsideroja një rast pedofilie këtë, padiskutim! Pedofilët e kanë në veprimet e tyre manipuluese që viktima të ndihet sa më e dëshiruar prej tyre. “
Psikoliga këshillon prindërit të bëjnë kujdes edhe me personat e rrethit të afërt familjar.
“Pra duhet të jemi shumë të ndërgjegjshëm që kemi të bëjmë me njerëz të cilët kanë patologji që e shprehin me këto sjellje, duhet të jemi vigjilentë që t’i mësojmë dhe edukojmë fëmijët tanë që nuk është turp t’i thuash Jo dikujt, nuk është turp të mos e përshëndesësh një njeri edhe nëse është familjar nëse ti nuk do, nuk është turp të mos i japësh faqen apo ta përqafosh një person të huaj, aq më tepër të seksit të kundërt. Aq më tepër që mund të jetë më i madh se i mituri dhe nuk është kurrë turp t’i thuash që jo ti s’ke të drejtë të më prekësh asnjë nga pjesët private të trupit tim.”
Mjeku 42 vjeçar Dervish Hasi, i cili e prezantonte 16 vjeçaren si gruan e tij të katërt, deklaroi para policisë se besimi islam ia lejonte të mbante raporte me 4 gra. Por edhe ky pretendim ka shkaktuar reagime të ndryshme.
Ish-Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra tha në studion e Klan News se raste të ngjashme me justifikim fenë ka në Shqipëri dhe në Kosovë, ndërsa theksoi se në të tilla raste duhet marrë vendimi i familjes së të miturës konform ligjit.
“Është serioze në Shqipëri dhe Kosovë! Policia e Shtetit dhe shërbimet e inteligjencës respective kanë gjithë rastin të hetojnë mbi to, nuk janë individë, janë grupime me një frymë me direktivat e dikujt.”
Komuniteti Mysliman shqiptar në një reagim të tij, shprehet se distancohet nga çdo individ apo grup që keqpërdor fenë për qëllime të ulëta.
