LAJME / E Diel 26 Nëntor 2023, 14:02

Dëbora dhe i ftohti siberian prekin Shqipërinë, rrugë të bllokuara dhe fshatra pa energji elektrike

Tiranë- Një valë e motit të ftohtë shoqëruar me reshje dëbore ka prekur Shqipërinë gjatë 24-orëve të fundit. Meteorologët parashikojnë se temperaturat e ulëta do të jenë dominante në të gjithë vëndin.

Reshjet e dëborës kanë shkaktuar probleme të shumta në qytete të ndryshme të vendit, kryesisht në veri, në qarkun e Dibrës, Kukësit, Shkodrës dhe Lezhës.

Sot, në Parkun Kombëtar të Qafështamës në Fushë Krujë dëbora ka arritur deri në 30 cm duke shkaktuar vështirësi në kalimin e rrugës Krujë-Qafështamë.

Në Malin e Krujës, niveli i dëborës shkon deri në 10 centimetra, ndërsa rruga është e kalueshme me vështirësi si pasojë e prezencës së akullit dhe dëborës në rrugë.

Mbrëmjen e djeshme, reshjet e dëborës shkaktuan bllokimin e rreth 300 automjeteve në bypassin e Qafë Murrizit në Rrugën e Arbrit dhe 100 automjeteve të tjera në aksin Maqellarë-Peshkopi.