LAJME / E Premte 24 Nëntor 2023, 21:09

Britania e Madhe dhuron 37 makina për sistemin e burgjeve

Balluku: Shqipëria, progres në fushat që shqetësonin Londrën

15 makina elektrike dhe 22 furgona, është flota e re që Britania e Madhe i dhuroi Drejtorisë së Burgjeve në vendin tonë.  Flota e mjeteve do të përdoret për lëvzjen e punonjësve të burgjeve dhe transportin e të burgosurve.

I pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të këtyre mjeteve ambasadori britanik në Shqipëri, u shpreh se marrëveshja e nënshkruar për transferimin e të burgosurve, ka forcuar marëdhënien mes dy vendeve.

“Tani Shqipëria është partneri ynë më i mirë ndërkombëtar e operacional.”

Duke çmuar vlerësimin për vendin tonë, zv.kryeministria Belinda Balluku tha se Shqipëria ka bërë progres në të gjitha fushat që më parë ishin shqetësuese për Britaninë e Madhe.

“Kemi pasur progres në të gjitha ato fusha që deri pak kohë më përpara kanë qenë shqetësuese për të gjithë ne. Duke u munduar që ato detyrat e shtëpisë që i kemi pasur prej kohësh t’i prezantojmë sa më mirë.”

Ndërkohë për ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, ndihma e Britanisë do të modernizojë akoma më shumë sistemin e burgjeve.

“Në kuadër të këtyre planeve për riorganizim, do të mbyllim 10 burgje nga koha e komunizmit. “

Ministri i Drejtësisë ndër të tjera tha se brenda vitit 2030, është parashikuar ndërtimi i institucioneve të reja të vuajtjes së dënimit me kapacitete dhe kushte sipas standarteve europiane.