LAJME / E Mërkurë 29 Korrik 2026, 15:03

Akuzat për kurdisje, reagon për herë të parë menaxheri i Kristian Prengës

Menaxheri i boksierit shqiptar Kristian Prenga, Keith Sullivan, ka reaguar pas spekulimeve që qarkulluan në rrjetet sociale pas humbjes së Prengës ndaj ish-kampionit të botës Anthony Joshua, duke mohuar kategorikisht çdo pretendim për ndikim të jashtëm apo marrëveshje të dyshimtë.

Pas meçit të zhvilluar në Jeddah, shumë tifozë u habitën nga ndryshimi i madh në performancën e Prengës. Boksieri shqiptar dominoi fillimin e duelit dhe arriti ta rrëzonte dy herë Joshuan në raundin e parë, por më pas britaniku u rikthye fuqishëm dhe e fitoi sfidën me nokaut teknik në raundin e dytë.

Ky ndryshim i menjëhershëm në ritmin e meçit bëri që në rrjetet sociale të lindnin teori të ndryshme, ku disa përdorues aluduan për ndërhyrje të jashtme apo zhvillime të pazakonta gjatë përballjes.

Në një intervistë për talkSPORT, Sullivan i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar ato të pabazuara.

“Mund t’i sqarojmë shumë lehtë me një fjalë: e pamundur. Nuk kishte asnjë ndikim të jashtëm”, deklaroi ai.

Menaxheri mohoi gjithashtu pretendimet se persona të lidhur me organizatorët apo kompanitë e përfshira në event kishin hyrë në këndin e Prengës gjatë meçit.

“Turki Alalshikh nuk ishte fare në Jeddah. Edhe ideja se dikush nga Sela kishte ardhur në këndin tonë dhe kishte folur me ne, nuk është e vërtetë. Shikoni pamjet, nuk ka ndodhur”, u shpreh Sullivan.

Megjithatë, ai zbuloi një detaj që, sipas tij, ka ndikuar ndjeshëm në paraqitjen e boksierit shqiptar. Sullivan tha se Kristian Prenga kishte kaluar një periudhë të rëndë shëndetësore vetëm pak javë para meçit, gjë që ia kishte pamundësuar përgatitjet normale.

Sipas tij, Prenga nuk kishte zhvilluar sparing dhe nuk ishte stërvitur për rreth dy javë para udhëtimit drejt Arabisë Saudite.

“Kristiani ishte sëmurë rëndë para luftës. Nuk bëri sparing dhe nuk u stërvit për dy javë para se të shkonte në Jeddah. Kishte temperaturë 102 gradë dhe qëndroi tetë ditë në shtrat”, tha ai.

Menaxheri shtoi se boksieri kishte kryer kontrolle mjekësore dhe dyshohej se bëhej fjalë për një grip të rëndë ose një lodhje të theksuar fizike. Edhe pse ishte rikuperuar mjaftueshëm për të hyrë në ring, mungesa e përgatitjeve të plota, sipas Sullivanit, ndikoi dukshëm në qëndrueshmërinë e tij.

Ai tregoi se pas raundit të parë, ku Prenga shpenzoi shumë energji duke sulmuar dhe duke e rrëzuar dy herë Joshuan, gjendja fizike e boksierit u përkeqësua.

“Kur nisi raundi i dytë, ai më tha se ndihej sikur ishte kthyer sërish në atë shtrat ku kishte qenë tetë ditë, pa energji dhe duke luftuar për frymë”, deklaroi Sullivan.

Pavarësisht këtyre shpjegimeve, menaxheri theksoi se nuk po përpiqet të gjejë justifikime për rezultatin e meçit.

“Nuk po bëj justifikime. Mendoj se ishin pesë minuta e gjysmë nga momentet më emocionuese të boksit që kam parë prej shumë kohësh”, përfundoi ai.

Deklaratat e Sullivanit vijnë në një kohë kur debati për atë përballje vazhdon në mesin e tifozëve të boksit, me shumë prej tyre që vazhdojnë të analizojnë mënyrën se si u zhvillua meçi mes Kristian Prengës dhe Anthony Joshuas, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE