LAJME / E Mërkurë 29 Korrik 2026, 12:12

Lajm shumë i keq për Kosovën

Brenda vetëm 24 orëve, tetë raste të ndara të dhunës në familje janë raportuar në qytete të ndryshme të Kosovës, duke rikthyer në vëmendje përmasat shqetësuese të kësaj dukurie. Gratë, burrat, fëmijët e madje edhe të miturit përfundojnë çdo ditë viktima të konflikteve që shpërthejnë brenda mureve të shtëpisë.

Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, rastet janë regjistruar në Malishevë, Vushtrri, Pejë, Prishtinë, Gjakovë, Podujevë dhe Mitrovicë të Jugut. Në disa prej tyre ka pasur arrestime dhe ndalim policor për 48 orë, ndërsa në raste të tjera hetimet po vazhdojnë në procedurë të rregullt.

Një nga rastet më të pazakonta u raportua në Malishevë, ku një e mitur dyshohet se ushtroi dhunë fizike ndaj dy vëllezërve të saj të mitur. Rasti është iniciuar si “Dhunë në familje” dhe po trajtohet sipas procedurave për të mitur.

Në Pejë, një burrë përfundoi në ndalim 48-orësh pasi dyshohet se kishte ofenduar dhe tentuar ta godiste bashkëshorten, ndërsa ndërhyrja e vajzës së tyre shmangu përshkallëzimin e konfliktit.

Në Prishtinë, një rast i dhunës familjare u përsërit për disa ditë me radhë. I dyshuari akuzohet se sulmoi fizikisht babanë dhe vëllanë, ndërsa pas ndërhyrjes së Policisë u dërgua në ndalim për 48 orë. Për rastin janë njoftuar edhe Njësia për Mbrojtjen e Viktimave dhe Qendra për Punë Sociale.

Në Gjakovë, një konflikt mes dy vëllezërve përfundoi me dhunë fizike, ku viktima pësoi lëndime në fytyrë dhe mori trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari u arrestua dhe u ndalua me urdhër të Prokurorisë.

Një tjetër rast u raportua në Batllavë të Podujevës, ku një i mitur, pas një konflikti me babanë lidhur me një motoçikletë, dyshohet se u bë agresiv dhe tentoi t’ia vinte flakën mjetit, duke shkaktuar tension në familje.

Ndërkaq, në Mitrovicën e Jugut një grua raportoi se ishte ofenduar dhe më pas goditur me shuplaka nga bashkëshorti në prani të fëmijëve të tyre të mitur.

Raste të tjera u raportuan edhe në Vushtrri, ku një grua denoncoi bashkëshortin për dhunë fizike pas një mosmarrëveshjeje, si dhe në Pejë, ku një djalë akuzoi babanë se e kishte kapur për fyti dhe e kishte shtyrë gjatë një konflikti për çështje pronësore.

Të gjitha rastet janë proceduar nga Policia e Kosovës në koordinim me prokuroritë kompetente, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave janë në vazhdim, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE