Këngëtari Ledri Vula zbuloi se ditën e djeshme ka pësuar një incident me makinë, për shkak të pakujdesisë. Reperi publikoi në llogarinë e tij në Instagram një status dhe një foto me anë të të cilave tregoi se çfarë i ndodhi.
Ledri publikoi fillimisht një video të realizuar nga makina e tij, në të cilën shfaqet duke kënduar dhe duke parë herë rrugën e herë telefonin celular me të cilin po filmonte.
Në status, të cilin e postoi pas videos, Vula shkroi: “Kujdes! Mos e përdor telefonin kur i jep makinës. Video që sapo e patë është bërë nga një profesionist”.
Fill pas kësaj, artisti ndau edhe një foto të makinës së tij, e cila ishte përplasur me një kosh mbeturinash, për shkak të mungesës së vëmendjes gjatë kohës që po udhëtonte.
Fatmirësisht, Ledri nuk pësoi asnjë dëmtim, por i bëri thirrje të gjithëve që të mos veprojnë si ai, duke mbajtur telefonin celular në dorë gjatë kohës që udhëtojnë.
Para pak ditësh, këngëtari publikoi një tjetër projekt muzikor, në bashkëpunim me Lumi B dhe Gjikon, të tiltulluar “Ça bone?”. Partnerja e Vulës, Sara Hoxha, është fansja më e madhe e tij, pasi gjatë gjithë kohës që po përgatitej kënga, ajo ka publikuar foto e video nga studioja e regjistrimit.