
Endrit Thaçi ka qenë një prej emrave që ka tërhequr interes të madh në internet ditën kur në Hagë u shpall vendimi ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Një detaj interesant nga kërkimet e asaj dite është bërë publik nga ekspertja e IT-së, Nadia Elbasani.
E ftuar në emisionin “Ftesë në 5”, Elbasani foli për të dhënat e kërkimeve në Google dhe YouTube, duke treguar se interesi i publikut nuk ishte përqendruar vetëm te procesi në Hagë dhe ish-drejtuesit e UÇK-së, por edhe te familjarët e tyre.
Në veçanti, ajo veçoi Endrit Thaçin, djalin e Hashim Thaçit, emri i të cilit kishte regjistruar një nivel të lartë interesi në Google.
“Ditën e vendimit të Hagës pati një interes shumë të madh për emrin e Endrit Thaçit, por edhe për djalin e Kadri Veselit. Ajo që më tërhoqi më shumë vëmendjen ishte krahasimi me PDK-në, pasi Endriti rezultonte më i kërkuar në Google se vetë partia”, deklaroi Elbasani.
Sipas saj, gjatë së njëjtës periudhë u vu re edhe një rritje e kërkimeve që lidheshin me UÇK-në, si në Google ashtu edhe në YouTube, ndërsa publiku kërkonte informacione pas shpalljes së vendimit.
Ekspertja u ndal edhe te interesi i brezit të ri për djemtë e ish-drejtuesve të UÇK-së, duke vërejtur se kërkimet nuk kufizoheshin vetëm te zhvillimet politike apo gjyqësore.
“Brezi i ri kërkon më shumë nga këta djem. Fakti që vëmendja shkon edhe te aspekti fizik, nuk e shkëput interesin nga personazhi”, u shpreh ajo.
Kështu, mes shumë emrave dhe termave që morën vëmendje në internet në ditën e vendimit të Hagës, Endrit Thaçi rezultoi një prej personazheve që ngjalli më shumë kureshtje, deri në atë pikë sa, sipas analizës së prezantuar nga Elbasani, kërkimet për emrin e tij kaluan ato për PDK-në.
