
Elijona ka konfirmuar për herë të parë se marrëdhënia e saj me Klodin ka marrë fund, pas disa ditësh aludimesh që nisën nga veprimet e dy ish-partnerëve në rrjetet sociale.
Dyshimet u shtuan pasi Klodi dhe Elijona hoqën njëri-tjetrin nga lista e ndjekësve në Instagram, ndërsa nga profili i saj u zhdukën edhe fotografitë e përbashkëta. Kaq mjaftoi që në rrjet të nisnin versione të ndryshme për arsyet që mund të kishin çuar në ndarje, përfshirë edhe pretendime për një tradhti të mundshme me një mashkull.
Elijona ka vendosur tashmë të thyejë heshtjen, por pa zbuluar një shkak konkret për përfundimin e marrëdhënies.
“Pasi nuk dua që lidhja ime të jetë temë e lajmeve apo e pyetjeve, por edhe për shkak të korrektësisë ndaj të gjithë atyre që na kanë mbështetur gjatë gjithë kësaj kohe, doja ta bëja publike se unë dhe Klodi tashmë nuk jemi më në lidhje”, shkroi ajo.
Në reagimin e saj, Elijona nuk përmendi tradhti dhe as nuk iu përgjigj drejtpërdrejt aludimeve që kanë qarkulluar në rrjet. Ajo zgjodhi të fliste vetëm për vendimin e tyre për të vazhduar veçmas.
“Ndonjëherë dy njerëz zgjedhin të vazhdojnë rrugët e tyre veçmas, edhe kur dikur kanë ndarë shumë bashkë”, u shpreh ish-banorja, duke theksuar se ruan respekt për atë që kanë përjetuar së bashku.
Elijona bëri të qartë gjithashtu se nuk synon ta kthejë ndarjen në një përplasje publike dhe se nuk do të flasë keq për ish-partnerin.
“Ju falënderoj të gjithëve për dashurinë dhe mbështetjen. Unë do të vazhdoj përpara me qetësi, mirënjohje dhe respekt për veten”, përfundoi ajo.
Kështu, ndarja tashmë është konfirmuar nga vetë Elijona, ndërsa arsyeja që çoi në fundin e marrëdhënies me Klodin mbetet private. Pretendimet që kanë qarkulluar për një tradhti nuk janë konfirmuar prej saj.
