
Reshjet e borës kanë përfshirë gjatë natës disa zona të Kosovës, duke sjellë një ulje të ndjeshme të temperaturave dhe një ndryshim të menjëhershëm të motit.
Bjeshkët e Istogut janë mbuluar nga një shtresë bore, ndërsa reshjet e para janë regjistruar edhe në zonën e Deçanit.
Pamjet e dërguara nga banorët tregojnë reshje të dendura bore dhe peizazhe të zbardhura në zonat malore. Rënia e temperaturave ka shoqëruar reshjet, duke krijuar një tablo tipike dimërore, pavarësisht se jemi ende në fillim të vjeshtës.
Sipas parashikimeve meteorologjike, reshjet e borës pritet të vijojnë edhe gjatë ditës së nesërme, me intensitet më të lartë në disa zona malore.
