LAJME / E Mërkurë 23 Shtator 2026, 20:08

Zbardhet dëshmia e Vlora Hysenit për lidhjet me Ergys Agasin

Detaje të reja janë bërë publike nga dëshmia e Vlora Hysenit në SPAK dhe raporti i saj me biznesmenin Ergys Agasi, një prej personave në qendër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t.

Sipas burimeve të Report TV, Hyseni është marrë në pyetje nga SPAK më 18 shtator, pasi në automjetin e Agasit ishin gjetur nëntë materiale të printuara me të dhëna që lidhen me Shërbimin Informativ të Shtetit.

Gjatë dëshmisë, Hyseni mësohet se ka pranuar se ka pasur komunikim të vazhdueshëm me Ergys Agasin, përfshirë periudhën deri në arrestimin e tij. Sipas versionit të dhënë prej saj para prokurorëve, këto kontakte lidheshin me faktin se Agasi ishte bashkëpunëtor i SHISH-it.

Hyseni ka pretenduar se komunikimet mes tyre kanë qenë telefonike dhe ka mohuar takimet fizike me Agasin. Por materialet e administruara nga hetuesit kanë ngritur dyshime të tjera mbi natyrën dhe intensitetin e raportit mes tyre.

Në dosje raportohet se janë administruar komunikime të shumta mes Hysenit dhe Agasit, ndërsa SPAK po heton nëse marrëdhënia mes tyre ka kaluar përtej asaj që ish-drejtuesja e SHISH e ka përshkruar si raport me një bashkëpunëtor të shërbimit.

Një element i rëndësishëm i hetimit janë materialet e gjetura në automjetin e Agasit. Sipas dokumenteve të bëra publike, më 20 korrik 2026 u sekuestrua automjeti i tij në ambientet e “Equos Resort”, ndërsa gjatë kontrollit u gjetën nëntë printime të formatit të madh me diagrama dhe të dhëna të ngjashme me ato të prodhuara nga SHISH.

Për këto materiale, Hyseni mësohet se u ka deklaruar prokurorëve se do të jepte një përgjigje me shkrim për të sqaruar përmbajtjen dhe rrethanat në të cilat ato kishin përfunduar në automjetin e Agasit.

Ndërkohë, nga dosja kanë dalë edhe komunikime që, sipas SPAK-ut, tregojnë se Hyseni i përcillte Agasit informacione për axhendën e saj dhe takime me zyrtarë të lartë. Në një prej mesazheve të publikuara ajo e informonte për një takim të planifikuar me kryeministrin Edi Rama.

Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj Hysenit masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Ajo është nën hetim për veprat penale të “Përkrahjes së autorit të krimit” dhe “Zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete”, akuza që lidhen me raportin e saj me Agasin dhe informacionet që dyshohet se i janë përcjellë atij.

Hetimi vijon, ndërsa dëshmia e Hysenit dhe komunikimet e administruara nga SPAK pritet të jenë ndër elementet kryesore për të përcaktuar natyrën e marrëdhënies së saj me Ergys Agasin dhe nëse kontaktet mes tyre kanë kaluar kufijtë e një bashkëpunimi të ligjshëm institucional.