
Skena kaosi u regjistruan mbrëmjen e së shtunës në Aeroportin Ndërkombëtar të Portsmouth në New Hampshire, ku një 17-vjeçar teksa përpiqej t’i shpëtonte policisë u fut me automjetin e tij në ambientet e aeroportit, duke thyer kështu gardhin dhe më pas duke u përplasur me një rimorkio kamioni dhe një avion të parkuar.
Sipas asaj që autoritetet bënë me dije gjithçka filloi pas pas orës 8 të mbrëmjes kur një oficer u përpoq të ndalonte një Ford Mustang të zi të vitit 2008 në Rrugën Durham në Portsmouth. Shoferi, i identifikuar si 17-vjeçari Wyatt Seeley nga Rochester, dyshohet se nuk iu bind urdhrit dhe u largua me shpejtësi .
Automjeti, sipas autoriteteve, po lëvizte pa drita të ndezura dhe po shkonte drejt aeroportit. Pak më vonë, Mustang u përplas me gardhin rrethues, të cilin e shkatërroi dhe më pas hyri në zonën ku ishin parkuar avionët.
Pas përplasjeve të njëpasnjëshme, automjeti u ndalua dhe policia arrestoi shoferin 17-vjeçar. I riu u dërgua më pas në një spital lokal për vlerësim mjekësor.
Sipas autoriteteve, 17-vjeçari dyshohet se ishte nën ndikimin e alkoolit. Ai u akuzua për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, mosrespektim të urdhrit të oficerit të policisë, drejtim të rrezikshëm të mjetit dhe shkelje të detyrimeve të parashikuara pas një aksidenti rrugor.
17-vjeçari pritet të paraqitet para Gjykatës së Magjistraturës në Portsmouth më 9 shtator 2026.
