LAJME / E Martë 17 Tetor 2023, 21:09

Shqipëria fiton edhe me Bullgarinë

Kuqezinjtë arrijnë rezultatin e gjashtë pozitiv radhazi

Kombëtarja nuk zhgënjen edhe në miqësore, duke mundur 2 – 0 Bullgarinë të martën në praninë e mbi 16 mijë tifozëve në stadiumin “Air Albania”. Një tjetër rezultat pozitiv për Kuqezinjtë, i gjashti radhazi. Sylvinho e nisi duke ndryshuar më shumë se gjysmën e formacionit të minutës së parë në dallim në ndeshjen me Çekinë, duke i dhënë mundësinë lojtarëve më pak të aktivizuar.

Shkëndijën e parë e dha Ajeti në minutën e nëntë, ndërsa mbrojtja ndali aksionet e kundërshtarëve. Pas disa mundësive Shqipëria kaloi në avantazh në minutën e 41’ me Qazim Laçin.

Mesfushori i Sparta Prague finalizoi aksionin e organizuar nga krahu i majtë, pas kombinimit mes Mitajt dhe Uzunit. Në pjesën e dytë u aktivizua edhe sulmuesi Marvin Çuni, i cili debutoi me Kombëtaren. Kuqezinjtë nuk u kënaqën me fitore minimale, duke rrezikuar përsëri portën bullgare. Ernest Muçi realizoi në minutën e 81’ me një goditje nga distanca, duke vulosur fitoren me përfaqësuesen bullgare pas 73 vitesh.

Miqësorja me Bullgarinë që u transmetua në TV Klan ishte një përgatitje për takimet e nëntorit me Moldavinë në transfertë dhe Ishujt Faroe në shtëpi që janë përcaktuese për kualifikimin e Shqipërisë në Euro 2024 ku është vetëm një hap larg.