LAJME / E Enjte 24 Shtator 2026, 00:12

Ja sa do të paguajnë qytetarët

Nga 5 tetori hyn në fuqi skema e re e parkimit me pagesë në rrugët dhe sheshet publike të Durrësit. Bashkia ka përcaktuar zonat, tarifat dhe oraret, ndërsa nënkryetari i Bashkisë Durrës, Gentian Kallmi, ka prezantuar sot detajet e skemës së re.

Parkimi do të ndahet në dy zona, ku në Zonën A, tarifa do të jetë 100 lekë në orë, ndërsa në Zonën B do të jetë 40 lekë në orë.

Gjatë periudhës nga 1 tetori deri më 31 maj, parkimi me pagesë do të aplikohet nga e hëna në të premte, nga ora 08:00 deri në 16:00. Pas orës 16:00, si dhe gjatë të shtunës dhe të dielës, parkimi në rrugë do të jetë pa pagesë. Ndërsa gjatë sezonit veror, nga 1 qershori deri më 30 shtator, parkimi me pagesë do të zbatohet çdo ditë, nga ora 08:00 deri në 20:00.

Ndërsa për banorët e rrugëve ku aplikohet tarifa mund të përfitojnë abonim vjetor për një automjet, me një kosto prej 10 mijë lekësh. Për hapësirat publike të miratuara mes pallateve, rezidentët mund të pajisen pa pagesë me vërtetim parkimi.

Aplikimi bëhet pranë Njësisë Administrative ku qytetari ka vendbanimin. Pas verifikimit të dokumentacionit, abonimi ose vërtetimi lëshohet brenda pesë ditësh dhe duhet të vendoset në një vend të dukshëm në automjet.

Skema e re përfshin edhe sheshet “Jorgji Ziu”, “Vollga” dhe hapësirën e parkimit pranë Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”. Në këto pika, tarifa nis nga 100 lekë për qëndrime deri në dy orë dhe shkon deri në 500 lekë për qëndrime nga 12 deri në 24 orë. Pagesa do të kryhet me kartë bankare, përmes POS-it.

Me nisjen e sistemit të ri është pezulluar edhe dhënia e lejeve vjetore të parkimit për subjektet në rrugët e përcaktuara si zona me pagesë. Ndërkohë, për hapësirat mes pallateve, sistemi i parkimit për rezidentët do të nisë pas vendosjes së sinjalistikës përkatëse.

Sipas Bashkisë së Durrësit, përtej tarifimit, qëllimi i skemës së re është organizimi i parkimit, reduktimi i parkimeve të parregullta dhe përmirësimi i qarkullimit në qytet.

Paralelisht, Bashkia po punon edhe për shtimin e kapaciteteve të parkimit, përfshirë hapësirën pranë Portit të Durrësit dhe projektin për ndërtimin e një parkimi nëntokësor në sheshin e Mauzoleumit të Dëshmorëve. Për vitin e ardhshëm po shqyrtohet gjithashtu zgjerimi i hapësirës së parkimit pranë shëtitores “Taulantia”.