
Forcat e Armatosura të Turqisë po zhvendosin një brigadë komandosh nga Hocaat, në pjesën lindore të vendit, drejt perëndimit, në zonën e Sökes, pranë ishullit grek të Samosit.
Bëhet fjalë për një njësi ushtarake me rreth 2 mijë komando. Zhvendosja e saj drejt brigjeve të Egjeut është komentuar nga mediat turke, duke tërhequr vëmendje për kohën dhe vendndodhjen e saj.
Një analist i televizionit turk “A Haber” tha fillimisht se lëvizje të tilla të njësive ushtarake janë praktikë e zakonshme në Forcat e Armatosura të Turqisë dhe mund të bëhen në kuadër të planifikimit ushtarak ose për arsye stërvitore.
Megjithatë, analisti e lidhi kohën e kësaj zhvendosjeje me zhvillimet në marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë, duke përmendur veçanërisht vizitën e fundit të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, në Kastelorizo.
Sipas tij, për shkak të asaj që ai e cilësoi si “qëndrim provokues të Greqisë” dhe vëmendjes së shtuar ndaj saj pas vizitës së Mitsotakis në Kastelorizo, zhvendosja e brigadës merr një rëndësi të veçantë.
Analisti theksoi gjithashtu se Söke ndodhet pranë Samosit, duke e cilësuar këtë si një element që meriton vëmendje në kuadër të zhvillimeve të fundit mes dy vendeve.
