LAJME / E Enjte 17 Shtator 2026, 14:02

Alket Rizai “zhduket” pa gjurmë, policia greke dyshon se fshihet në Shqipëri

Alket Rizai vijon të jetë në kërkim, ndërsa policia greke po heton mundësinë që ai të ketë kaluar ilegalisht kufirin dhe të fshihet në Shqipëri.

Pista shqiptare është ngritur pas informacioneve se gjurma e fundit e Rizait është lokalizuar në Greqinë Veriore. Sipas të dhënave që kanë mbërritur në policinë greke, dyshohet se prej andej ai është drejtuar drejt kufirit, duke kaluar më pas ilegalisht në territorin shqiptar.

Ndërsa kërkimet në Greqi vijojnë pa rezultat, autoritetet po përpiqen të rindërtojnë lëvizjet e Rizait dhe itinerarin që mund të ketë ndjekur. Me kalimin e ditëve, mundësia që ai të jetë larguar drejt Shqipërisë po merr më shumë vëmendje në kuadër të hetimeve.

Megjithatë, deri në këtë fazë nuk ka një konfirmim zyrtar se Alket Rizai ka hyrë në Shqipëri apo se fshihet në territorin shqiptar. Kjo mbetet një pistë që po hetohet nga autoritetet greke.

Kujtojmë se Alket Rizai ndodhej jashtë burgut të Domokosit me leje, kur u përfshi në një incident me armë pranë një lokali në Anavisos, në orët e para të së dielës.

Policia greke u njoftua rreth orës 05:15 për të shtëna me armë. Kur efektivët mbërritën në vendngjarje, personat e përfshirë ishin larguar, ndërsa u gjetën dy gëzhoja dhe njolla gjaku.

Sipas rindërtimit të ngjarjes nga autoritetet, Rizai ndodhej në lokal me dy persona të tjerë. Konflikti dyshohet se nisi pasi ai vendosi muzikë me volum të lartë në automjet dhe pronari i lokalit i kërkoi ta ulte. Debati më pas u përshkallëzua, duke përfshirë edhe persona të tjerë.

Pamjet e raportuara nga ngjarja tregojnë Rizain duke nxjerrë një armë dhe duke qëlluar në ajër. Gjatë incidentit mbetën të plagosur dy punonjës të lokalit, një 20-vjeçar grek dhe një 41-vjeçar pakistanez.

Pas të shtënave, Rizai u largua me automjet së bashku me dy personat që e shoqëronin. Nga vendngjarja u largua edhe një shtetas afgan, i cili dyshohet se ishte përfshirë në konflikt dhe që gjithashtu është shpallur në kërkim.

Ndërkohë, pronari i lokalit u arrestua nën akuzën e deklarimit të rremë lidhur me rrethanat e incidentit.

Rizai duhej të rikthehej mëngjesin e së hënës në burgun e Domokosit pas përfundimit të lejes, por nuk u paraqit. Që prej atëherë, autoritetet greke vijojnë kërkimet për lokalizimin e tij.