
Fier – Një djalë në moshë të re është rrëmbyer në Fier dhe i është hequr liria duke u mbajtur peng nga disa persona, mes tyre i përfshirë dhe një punonjës policie, shef antikrimi.
Ngjarja ndodhi në Fier dhe gjatë operacionit "Ferras" që u zhvillua nga policia, u arrestuan Kejvi Brahimllari, Elisiano Abazaj dhe Gestian Ymeraj, raporton noa.al.
Policia tha se personat e përfshirë në këtë pengmarrje, i hoqën lirinë, për motive të dobëta, djalit 21-vjeçar.
Ndërsa dy nga autorët u arrestuan, po punohet për kapjen e bashkëpunëtorit të tretë.
Por në këtë aksion është prangosur edhe punonjësi i Policisë i cili kishte dijeni për ngjarjen, por nuk ka njoftuar strukturat e Policisë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, morën njoftim nga një shtetas se disa persona i kishin marrë me forcë vëllain dhe automjetin me të cilin ai po udhëtonte.
Ekipet policore organizuan punën dhe pas veprimeve operacionale hetimore finalizuan operacionin policor të koduar "Ferras".
Gjatë aksionit u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe arrestimi i dy prej autorëve, Kejvi Brahimllari, 26 vjeç dhe Elisiano Abazaj, 25 vjeç, që të dy, banues në Fier.
Policia tha se po punon edhe për kapjen e bashkëpunëtorit tjetër, A. Z., 32 vjeç, banues në Mallakastër.
Që të tre akuzohen për veprat penale "Heqja e paligjshme e lirisë", "Shkatërrimi i pronës" dhe "Vjedhja me dhunë" të kryera në bashkëpunim.
Nga veprimet hetimore rezultoi se ngjarja ka ndodhur në fshatin Ferras, Fier, ku autorët, për shkak të një debati që kanë pasur para 2 ditësh, për motive të dobëta, me kushëririn e shtetasit H. T., 21 vjeç, kanë ndaluar automjetin me të cilin ky djalë po udhëtonte, e kanë dëmtuar atë dhe e kanë marrë duke e mbajtur peng me forcë për rreth 3 orë.
Gjithashtu, nga kryerja e veprimeve hetimore rezultoi se punonjësi i policisë Gestian Ymeraj, 31 vjeç, banues në Fier, me detyrë trup shërbimi në seksionin e Forcës së Posaçme "Shqiponja", ka pasur dijeni për ngjarjen, por nuk ka njoftuar strukturat e Policisë.
Për të u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale "Moskallëzimi i krimit" dhe "Shpërdorimi i detyrës".
Sakaq u sekuestrua automjeti me të cilën autorët morën me forcë 21-vjeçarin si edhe automjeti me të cilin udhëtonte i riu, të cilin autorët e kishin marrë dhe fshehur në fshatin Ferras.
Materialet po i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.
Arrestimi i punonjësit të Policisë është në vijim të vetëpastrimit të radhëve të Policisë nga personat e inkriminuar, ata që abuzojnë me detyrën me veprime apo me mosveprime.
Policia e Shtetit thotë se është e vendosur që të largojë nga radhët e saj cilindo punonjës Policie që nuk zbaton ligjin dhe nuk justifikon besimin e qytetarëve.
