
Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë dhe diplomati amerikan në pension, William G. Walker, u është drejtuar me një letër liderëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, duke propozuar Faton “Tony” Bislimin si kandidat për President të Republikës së Kosovës.
Sipas Telegrafit, i cili ka siguruar letrën, Walker ka shprehur shqetësimin e tij për zvarritjen e procesit të zgjedhjes së presidentit dhe ka kërkuar që emri i Bislimit të merret seriozisht në konsideratë gjatë diskutimeve politike.
Në letrën e tij, diplomati amerikan vlerëson se Kosova ka nevojë për një figurë që mund të përfaqësojë vendin mbi ndarjet politike dhe që posedon përvojën, njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për ta ushtruar me sukses funksionin e presidentit.
Walker ka theksuar se nuk beson se zgjedhjet e reja do të sillnin një zgjidhje për situatën aktuale politike, duke shtuar se vendit i nevojitet një rrugëdalje që garanton stabilitet institucional dhe funksionim efektiv të institucioneve.
“Si mik i Kosovës, jam thellësisht i shqetësuar për bllokadën e tejzgjatur të procesit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri”, ka shkruar Walker në letrën drejtuar liderëve politikë.
Ai ka bërë të ditur se ka dëgjuar emrat e disa kandidatëve të mundshëm për president, por sipas vlerësimit të tij, Faton Bislimi është personi që i plotëson më së miri kriteret për këtë detyrë.
Walker ka theksuar se e njeh Bislimin prej shumë vitesh dhe se gjatë kësaj kohe ka pasur mundësi të diskutojë me të për çështje që lidhen me politikën e Kosovës, zhvillimet rajonale dhe pozitën e shtetit në arenën ndërkombëtare.
Sipas tij, Bislimi shquhet për pavarësinë në mendim, aftësinë për të artikuluar qëndrime të qarta dhe përkushtimin ndaj interesit publik.
Në arsyetimin e tij, Walker ka renditur disa prej cilësive që, sipas tij, e bëjnë Bislimin kandidat të përshtatshëm për president.
Një nga elementet kryesore që ai përmend është përvoja ndërkombëtare.
Sipas Walkerit, Bislimi ka jetuar, studiuar dhe udhëtuar në vende të ndryshme të Evropës dhe Amerikës së Veriut, gjë që i ka dhënë një kuptim të gjerë të zhvillimeve globale dhe të rolit që Kosova duhet të luajë në botë.
Po ashtu, diplomati amerikan vlerëson lart formimin akademik të Bislimit.
Ai thekson se studimet e tij në Kosovë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada përfaqësojnë një bazë të fortë profesionale, ndërsa përvoja e tij si ligjërues dhe edukator konsiderohet një tjetër vlerë e shtuar.
Walker ka vënë në pah edhe aftësitë komunikuese të Bislimit.
Sipas tij, ai zotëron në nivel të lartë gjuhën shqipe dhe angleze, ndërsa ka njohuri edhe në gjuhën frënge, çka mund të ndihmojë në përfaqësimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare.
Një tjetër pikë që Walker e konsideron të rëndësishme është njohja e thellë e historisë dhe procesit të shtetformimit të Kosovës.
Ai thotë se Bislimi ka njohuri të gjera për zhvillimet para luftës, gjatë luftës dhe në periudhën e pasluftës, si dhe për personalitetet dhe proceset që kanë ndikuar në krijimin e shtetit të Kosovës.
Në letër vlerësohen edhe cilësitë personale të Bislimit.
Walker e përshkruan atë si një person me aftësi të mira komunikimi dhe bashkëpunimi, i cili di të ruajë seriozitetin kur situata e kërkon, por njëkohësisht edhe të krijojë atmosferë pozitive dhe mirëkuptim me bashkëbiseduesit.
Një nga argumentet kryesore të Walkerit është se Bislimi mund të shërbejë si figurë konsensuale.
Sipas tij, Kosova ka nevojë për një president që perceptohet si përfaqësues i të gjithë qytetarëve dhe jo si përfaqësues i një partie apo grupi të caktuar politik.
“Fatoni nuk përfaqëson interesa partiake. Ai përfaqëson bindjet e veta dhe përkushtimin për një Kosovë më të mirë”, thuhet në letrën e Walkerit.
Në fund të letrës, diplomati amerikan kërkon nga liderët politikë që emri dhe kualifikimet e Bislimit të shqyrtohen seriozisht gjatë procesit të diskutimeve për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të vendit.
Sipas Telegrafit, letra u është dërguar të gjithë liderëve të partive parlamentare, megjithatë deri në momentin e publikimit nuk është konfirmuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës apo Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nëse e kanë pranuar zyrtarisht atë.
Faton “Tony” Bislimi aktualisht jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është i angazhuar në aktivitete akademike dhe në avokimin e çështjeve që lidhen me shqiptarët dhe Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Propozimi i Walkerit vjen në një periudhë kur diskutimet për presidentin e ardhshëm të Kosovës janë intensifikuar, ndërsa partitë politike po zhvillojnë konsultime për gjetjen e një kandidati që mund të sigurojë mbështetje të gjerë politike dhe institucionale, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
