
Vetëm pak ditë pas takimeve dy-ditore në Pogradec, kryeministri Edi Rama ka kërkuar një tjetër takim të ministrave dhe udhëheqësve politikë të qarqeve. Mësohet se këtë herë, takimi do të zhvillohet në selinë e Partisë Socialiste në Tiranë, të premten në orën 17:30. Takimi vjen pas diskutimeve të zhvilluara në Pogradec, ku Rama u përqendrua në nevojën për një qasje të re nga qeveria dhe Partia Socialiste ndaj problemeve të qytetarëve.
Kryeministri u ka kërkuar ministrave të monitorojnë punën e drejtorive të tyre vartëse çdo muaj, ndërsa udhëheqësve politikë u është kërkuar të kenë një prani më të madhe në terren dhe kontakt më të drejtpërdrejtë me qytetarët. Kjo qasje është konkretizuar edhe përmes dy dokumenteve të paraqitura nga Partia Socialiste, “Besa” dhe “Prania Besnike”.
Një element tjetër i diskutimeve në Pogradec ishte platforma “Pasqyrë Albania”, e cila synon të mbledhë, monitorojë dhe ndjekë ankesat e qytetarëve.
Sipas projektit, çështjet duhet të marrin përgjigje brenda dy javësh, ndërsa qytetarët do të jenë në gjendje të gjurmojnë në kohë reale se në cilin institucion është kërkesa e tyre.
Platforma parashikon funksionimin përmes dy mekanizmave: “Flamingo Albania”, i cili do të shërbejë për të mbledhur ankesa dhe shqetësime, dhe “Radar”, për të ndjekur trajtimin e tyre nga ministritë, bashkitë dhe institucionet e tjera.
Gjatë takimeve në Pogradec, ministrat paraqitën edhe një analizë të punës së sektorëve që ata drejtojnë dhe prioritetet për periudhën në vijim.
Takimi i së premtes do të shërbejë si vazhdim i këtij procesi, me fokus në zbatimin e vendimeve të marra dhe forcimin e pranisë së qeverisë dhe strukturave të PS-së në terren, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
