
Ditëve të nxehta duket se po u vjen fundi, ndërsa vendi pritet të kalojë në kushte tipike të vjeshtës, me temperatura më të ulëta dhe rikthim të reshjeve.
Meteorologia Lajda Porja tha se ndryshimi i motit do të ndihet gjatë 10-ditëshit të fundit të shtatorit.
Sipas saj, reshjet do të jenë të pranishme që pasditen e sotme, kryesisht në gjysmën lindore të Shqipërisë, ndërsa pritet të preket edhe Tirana.
“Po do përjetojmë më në fund edhe ne tani disa ditë vjeshte. Duke filluar që nga nesër dhe deri në fund të shtatorit, do të përjetojmë temperaturat tipike të vjeshtës, por do të kemi dhe prezencë të reshjeve. Sot pasdite do të ketë rrebeshe, kryesisht në gjysmën lindore të Shqipërisë, përfshirë edhe kryeqytetin, ku do të kemi reshje herë pas here në formë rrebeshi, herë pas here shira më të imët”, u shpreh Porja për “Euronews Albania”.
Gjatë së martës, reshjet pritet të jenë të pakta dhe të përqendruara kryesisht në orët e para të mëngjesit. Më pas parashikohet një përmirësim i ndjeshëm i kushteve atmosferike.
Ndërsa pjesa e dytë e së martës, e mërkura dhe e enjtja pritet të kalojnë kryesisht pa reshje të qëndrueshme.
Ndryshimi më i fortë parashikohet të nisë të premten. Sipas meteorologes, një sistem i fuqishëm atmosferik pritet të përfshijë të gjithë territorin, duke sjellë reshje që në momente të caktuara mund të jenë me intensitet të lartë.
“Por presim të premten një sistem mjaft të fuqishëm, i cili do të sjellë reshje në të gjithë territorin shqiptar. Parashikoj që herë pas here të jenë rrebeshe. Do të kemi herë pas here dhe reshje me intensitet të lartë, të shoqëruara me stuhi të forta ere”, deklaroi Porja.
Moti i paqëndrueshëm pritet të vijojë edhe gjatë fundjavës.
“Është një sistem mjaft i mirëfilltë, i cili do të qëndrojë jo vetëm ditën e premte, por dhe përgjatë fundjavës”, përfundoi meteorologia.
