
Një furgon pasagjerësh ka humbur kontrollin pranë mbikalimit të Kasharit në Tiranë dhe është përplasur me barrierat anësore të betonit. Disa pasagjerë kanë marrë dëmtime të lehta, ndërsa katër prej tyre janë transportuar në Spitalin e Traumës.
Një aksident rrugor është regjistruar pranë mbikalimit të Kasharit në Tiranë, ku një furgon që transportonte pasagjerë ka humbur kontrollin dhe është përplasur me barrierat anësore të betonit.
Si pasojë e përplasjes, disa prej pasagjerëve kanë marrë dëmtime të lehta, kryesisht gërvishtje. Sipas informacioneve paraprake, asnjë prej tyre nuk paraqet probleme për jetën.
Katër nga pasagjerët janë transportuar në Spitalin e Traumës për të marrë ndihmë mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po kryejnë veprimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit. Mësohet se furgoni bënte linjën Sukth-Tiranë.
