
Një ngjarje tronditëse është regjistruar në Kypseli të Athinës, ku policia ka zbuluar trupin e një foshnjeje të vdekur brenda një valixheje.
Ngjarja u zbulua pas një denoncimi të bërë nga pronari i një apartamenti të dhënë me qira përmes Airbnb në qendër të Athinës, shkruajnë mediat.
Sipas raportimeve, pronari kishte kërkuar ndërhyrjen e policisë pasi personat që kishin marrë apartamentin me qira nuk po largoheshin dhe dyshohej se konsumonin lëndë narkotike.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, patrullat e DIAS ndodheshin pranë zonës kur pronari i drejtoi drejt apartamentit. Brenda banesës ndodheshin një burrë me origjinë greke, vajza e tij 15-vjeçare dhe një shtetas afgan.
Në apartament u gjetën gjithashtu dy të mitur dhe një grua gjermane, e cila kishte bërë më herët kallëzim në polici. Efektivët morën nga banesa dy valixhe dhe i transportuan në komisariat për verifikim.
Aty, gjatë kontrollit të valixheve, policia zbuloi trupin e pajetë të një foshnjeje, duke shkaktuar tronditje te efektivët.
Gjatë marrjes në pyetje, gruaja gjermane dyshohet se ka deklaruar se foshnja ishte e saj dhe se kishte ndërruar jetë rreth tetë muaj më parë. Rrethanat e sakta të vdekjes dhe mënyra se si trupi është mbajtur dhe transportuar janë ende objekt hetimi.
Në kuadër të hetimeve po verifikohet edhe një tjetër informacion i rëndë. Sipas raportimeve, vajza 15-vjeçare që ndodhej në apartament dyshohet se është shtatzënë, ndërsa babai i fëmijës dyshohet se është shtetasi afgan që ndodhej në banesë.
Autoritetet greke kanë nisur një hetim paraprak për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes, ndërsa për çështjen është vënë në dijeni edhe prokuroria
