LAJME / E Mërkurë 18 Tetor 2023, 13:01

Pak orë para masakrës në spitalin e Gazës, publikohet videoja ku shihen fëmijët duke luajtur dhe kënduar

Një masakër në një spital në Rripin e Gazës u ka marrë jetën mbi 500 civilëve të pafajshëm. Spitali ishte i mbushur me të plagosur dhe me palestinezë të tjerë që po kërkonin strehim, kur u godit nga një raketë që sipas autoriteteve palestineze u ka marrë jetën të paktën 500 personave.

Hamasi dhe Izraeli akuzojnë njëri-tjetrin për sulmin, ndërsa ushtria izraelite ka publikuar një video të momentit kur raketa bie mbi spital, duke pretenduar se është një raketë palestineze. Presidenti palestinez Mahmoud Abbas ka shpallur tre ditë zie.

Ndërkohë, presidenti i SHBA, Joe Biden mbërriti sot në Izrael. Samiti në Jordani u anulua papritur pas maskrës në spitalin e Gazës. Biden do të takohet me kryeministrin Benjamin Netanyahu.

“Pas konsultimit me Mbretin Abdullah II të Jordanisë dhe në dritën e ditëve të zisë të shpallura nga Presidenti Abbas i Autoritetit Palestinez, Presidenti Biden do të shtyjë udhëtimin e tij në Jordani dhe takimin e tij të planifikuar me këta dy liderë dhe presidentin egjiptian Sisi”, thuhet në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë.

Ministria Palestineze e Shëndetësisë thotë se që nga fillimi i luftës janë 3200 viktima dhe 11 mijë të tjerë të plagosur.

Një video tronditëse nga Spitali Baptist Al-Ahli në Gaza rreth 20 orë para sulmit të përgjakshëm me qindra të vdekur dhe të plagosur mbrëmjen e së martës, është bërë publike nga agjencia e lajmeve turke Anadolu Agency.

Në këtë video, fëmijët e vegjël mund të shihen duke luajtur lojëra dhe duke kënduar, pa e ditur se në orët në vijim ky spital do të jetë objektivi i sulmit më vdekjeprurës në Gaza në 15 vitet e fundit.

Sipas ministrisë së shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi, të paktën 500 kanë vdekur nga sulmi i së martës. Pas sulmit, forcat e armatosura izraelite dhe Hamasi fajësuan njëra-tjetrën, me Tel Aviv që argumentoi se ishte një sulm nga Xhihadi Islamik.