
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Lladoc të Podujevës, ku një fëmijë vetëm 10-vjeçar është plagosur pasi vëllai i tij i mitur dyshohet se ka shkrepur aksidentalisht me një AK-47 që ndodhej brenda shtëpisë.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur më 21 gusht, ndërsa Policia është alarmuar rreth orës 12:10 pas informatës për një plagosje.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, në qendër të hetimeve ka përfunduar Avdi Jakupi, 70 vjeçar, pronari i shtëpisë dhe gjyshi i fëmijëve.
Nga të dhënat fillestare dyshohet se nipi i tij, 13-vjeçar, kishte marrë armën AK-47 dhe, derisa po manipulonte me të, arma kishte shkrepur.
Predha ka goditur vëllain e tij vetëm 10-vjeçar.
Rasti ka marrë një dimension edhe më serioz kur Policia ka nisur të hetojë se si një armë e tillë kishte përfunduar në duart e një fëmije.
Sipas deklarimit të dhënë para hetuesve, Jakupi ka pranuar se AK-47 ishte e tij dhe se armën e kishte lënë mbi dollapin e dhomës së djalit të tij, pa e siguruar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ai është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
Ndërkohë, Njësia e Hetimeve dhe Forenzika Rajonale kanë kryer kontrollin e shtëpisë, me pëlqimin e pronarit.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar një AK-47, një karikator me 20 fishekë, një pako me 38 fishekë, tri gëzhoja dhe pajisje për pastrimin e armës.
Pas intervistimit, ndaj Jakupit është iniciuar rast për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa me urdhër të prokurorit ai është liruar në procedurë të rregullt.
Rrethanat e plota se si i mituri ka arritur ta marrë armën dhe si ka ardhur deri te shkrepja tashmë janë objekt i hetimeve.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali/ do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
