
Një operacion policor në zonën e Pukës ka çuar në zbulimin e një parcele ku ishin kultivuar bimë të dyshuara narkotike, ndërsa gjatë kontrollit është konstatuar edhe një person i armatosur, i cili ka mundur t’i shpëtojë policisë.
Ngjarja është regjistruar në fshatin Kodërbojë, ku shërbimet e Policisë po ushtronin kontroll në një parcelë të dyshuar për kultivim të lëndëve narkotike.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, gjatë kontrolleve efektivët kanë konstatuar në zonë një person të armatosur. Në momentin që ky i fundit ka vënë re praninë e punonjësve të Policisë, është larguar me shpejtësi, duke mos iu bindur urdhrit të tyre për të ndaluar.
Në përpjekje për ta detyruar të ndalonte, një prej efektivëve të Policisë ka qëlluar me armë zjarri në ajër në formë paralajmërimi. Megjithatë, personi i armatosur ka përfituar nga terreni i vështirë i zonës dhe ka mundur të largohet.
Menjëherë pas ngjarjes janë angazhuar forca të shumta policore për lokalizimin dhe kapjen e tij. Në kontrolle po marrin pjesë shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Komisariatit të Policisë Pukë dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur veprimet për dokumentimin e plotë të rastit, identifikimin e personit të armatosur dhe përcaktimin e lidhjes së tij të mundshme me parcelën ku u konstatuan bimët e dyshuara narkotike.
Hetuesit po verifikojnë gjithashtu rrethanat e plota të ngjarjes, mënyrën e kultivimit të bimëve, personat që mund të jenë përfshirë dhe nëse në zonë ndodheshin persona të tjerë në momentin e ndërhyrjes së Policisë.
Kontrollet në terren vijojnë, ndërsa Policia pritet të japë informacion të mëtejshëm pas përfundimit të veprimeve të para hetimore, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
