
Zbardhet aktgjykimi 124-faqësh për vrasjen e Liridona Ademajt, detaje të reja nga arsyetimi i Gjykatës.
Janë bërë publike detaje të reja nga aktgjykimi i plotë me të cilin Naim Murseli u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, një nga rastet që tronditi opinionin publik në Kosovë.
Sipas raportimit të gazetares së Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, aktgjykimi i hartuar nga kryegjyqtarja Fatime Dërmaku përbëhet nga 124 faqe, në të cilat paraqiten në detaje provat, dëshmitë dhe arsyetimi i Gjykatës mbi mënyrën se si është planifikuar dhe organizuar krimi.
Tërshani, e cila ka ndjekur nga afër të gjitha seancat gjyqësore të këtij rasti, bëri të ditur se vendimi pritet të shqyrtohet edhe nga Gjykata e Apelit, pasi palët kanë paralajmëruar se do ta ankimojnë aktgjykimin.
“Është e sigurt tashmë që edhe ky aktgjykim do të përfundojë në Gjykatën e Apelit, pasi palët kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë në Apel, pasi ta studiojnë dhe ta shohin mënyrën se si e ka argumentuar gjyqtarja krejt vendimin që e ka dhënë për burgim të përjetshëm për Naim Murselin, derisa 30 vjet burg për Kushtrim Kokallën”, deklaroi Tërshani në emisionin “Kosova Today”.
Sipas saj, një nga pjesët më të rëndësishme të aktgjykimit është mënyra se si Gjykata ka rindërtuar prapaskenat e ngjarjes dhe ka analizuar sjelljen e Naim Murselit para dhe pas krimit.
“Aktgjykimi i shpalos këto prapaskena, mënyrën se si ka reaguar dhe ku ka rënë ndesh me veten Naim Murselin”, tha gazetarja
Në dokumentin gjyqësor, sipas raportimit, përshkruhen edhe problemet që çifti kishte në martesë dhe mënyra se si Gjykata i ka vlerësuar ato në raport me motivin e krimit.
Sipas asaj që u bë publike, në aktgjykim thuhet se për shkak të raporteve të përkeqësuara mes bashkëshortëve, Murseli kishte paguar policën e sigurimit të jetës dhe se, sipas vlerësimit të Gjykatës, pakënaqësitë dhe mllefi i tij ndaj bashkëshortes kishin ndikuar në forcimin e vendimit për organizimin e vrasjes.
Po ashtu, në aktgjykim përmendet se ai kishte deklaruar se, në rast se Liridonës do t’i ndodhte diçka, ekzistonte një policë sigurimi e paguar.
Gjykata Themelore e ka dënuar Naim Murselin me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim. Megjithatë, vendimi ende nuk është i formës së prerë dhe pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit pas ankesave të paralajmëruara nga palët në procedurë, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
