
Në ditën e parë si deputete e pavarur, Marjana Koçeku vendosi që të ulej në krah të deputetëve të Partisë Demokratike, duke ngritur menjëherë një sërë pikëpyetjesh mbi mesazhin politik që mund të fshihet pas këtij pozicionimi.
Lëvizja vjen vetëm pak kohë pasi Koçeku njoftoi publikisht largimin nga Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste dhe deklaroi se do të vijonte aktivitetin e saj politik si deputete e pavarur. E dita e parë e saj në Kuvend, pas largimit nga kampi rozë, nuk kaloi pa marrë vëmendje, kjo për shkak të vendit që ajo zgjodhi në sallë, pikërisht në qendër dhe krah kolegëve demokratë.
Ulja pranë demokratëve mund të interpretohet edhe si një tregues i një afrimi të mundshëm me opozitën, por deri tani nuk ka asnjë deklaratë publike nga Koçeku që të konfirmojë ndonjë marrëveshje, bashkëpunim apo lëvizje të saj drejt së djathtës shqiptare.
Deputetja e kishte paralajmëruar që në nisje të sesionit të ri se rikthimi i deputetëve në Parlament do të shoqërohej me dinamika të reja, në një kohë kur vendi është duke u përballur me protesta të cilat kanë hyrë në ditën e tyre të 102 si dhe me zhvillime të rëndëishme politike.
Në mesazhin e saj të parë si deputete e pavarur, Koçeku e bëri të qartë se synon ta shohë Parlamentin si një hapësirë ku zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet më fort. Ajo u shpreh se përgjegjësia e saj tashmë është të përfaqësojë qytetarët që kërkojnë drejtësi, transparencë dhe shërbim në funksion të interesit publik.
“Kjo është dita e parë e sesionit të parë parlamentar dhe njëkohësisht është dita ime e parë si deputete e pavarur. Padyshim që ky sesion i ri parlamentar ka për të qenë me plot dinamika, veçanërisht prej ndodhive politike muajt e fundit dhe protestës qytetare të vazhdueshme në rrugët e vendit tonë.
Kjo është një gjë e mirë sepse tregon se qytetarët po zgjohen dhe më në fund demokracia po bëhet aktive. Kjo tregon se ne kemi kujt t’i shërbejmë. Zëri i qytetarëve jashtë Parlamentit, duhet me ardh edhe më i fortë në Parlament, jo me u tentu me u hesht, me u zvogëlu, apo me u shmang, por me u përfaqësu me shumë përgjegjësi”, deklaroi Koçeku përmes një video, pak orë para se të niste ditën e djeshme seanca e parë e Kuvendit.
