LAJME / E Mërkurë 9 Shtator 2026, 11:11

Sulmi ndaj Iris Luarasit, reagon Rama: Çfarë mjerimi mendor

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas situatës së sikletshme që përjetoi deputetja socialiste Iris Luarasi, ndërsa po shkonte drejt Kuvendit të Shqipërisë.

Luarasi u ndoq përgjatë rrugës nga disa protestuese, të cilat i kërkonin llogari dhe e akuzonin për qëndrimet e saj. Deputetja po kalonte nëpër një qendër tregtare për të shkuar drejt Kuvendit, pasi pjesa tjetër e rrugës ishte bllokuar nga protestuesit dhe policia.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama e cilëson sjelljen e protestuesve si “mjerim mendor”.

Gjatë një interviste për mediat,  Luarasi tha se çështjen e kishte çuar në gjykatë.

Ajo theksoi se ngjarja bëhet akoma më e rëndë për faktin se sulmi u ndërmor nga vetë gratë, përkundrejt kontributit të saj më shumë se 20-vjeçar në mbrojtje të të drejtave të tyre.

"Kjo është një dhunë verbale, është një poshtërim që iu ndodh deputetëve, por veçanërisht kur bëhen nga gratë është akoma më e vështirë. Ti je i penalizuar, sepse unë nuk po kaloja në oborrin e parlamentit, por në një ambient që nuk është tokë shtetërore, në një qendër tregtare. Ti e gjen në një vend, në një kurth me njerëz që të presin aty gati me kamera në dorë, sepse kjo është pjesa më e shëmtuar. E gjen veten për hajdute që nuk mbron të drejtat e grave dhe kjo për mua është akoma edhe më e rëndë, si një njeri që kam punuar për më shumë se 20 në mbrojtje të të drejtave të grave. Të ma thuash mua këtë, mendoj që është pak si shumë. Unë mendoj që njerëzit duhet të qetësohen. Ky linçimi publik dhe ky poshtërimi kur bëhet nga gratë për gratë është 10 herë më i shëmtuar.", tha deputetja.

Luarasi sqaroi se ishte zënë në një kurth të përgatitur me kamera në dorë jashtë ambienteve të Kuvendit. Sipas saj, pranimi i detyrës si përfaqësuese e popullit nënkupton përballjen me debate e kritika, por kurrsesi pranimin e poshtërimit publik. Luarasi nënvizoi se kjo lloj sjelljeje nuk duhet relativizuar dhe bëri thirrje për qetësimin e gjakrave në hapësirën publike/Pamfleti