
Gjykata e Tiranës ka vendosur këtë të mërkurë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për këngëtarin Jozefin Marku dhe mikun e tij, Kristjan Nikolli, të arrestuar pas sulmit ndaj personazhit publik nga Kosova, Eduard Kuçi.
Vendimi i gjykatës erdhi pavarësisht kërkesës së Prokurorisë, e cila kishte kërkuar masën “arrest me burg” për të dy të arrestuarit.
Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të konfliktit dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.
Në kuadër të hetimit, Prokuroria po verifikon edhe përdorimin e simboleve të Policisë së Shtetit. Gjithashtu, është kërkuar një akt-ekspertim për të përcaktuar dëmtimet trupore që mund të ketë pësuar Eduard Kuçi gjatë incidentit.
Ndërkohë, Kuçi është shpallur në kërkim policor për akuzën e moskallëzimit të krimit. Sipas hetimeve, ai nuk e kishte kallëzuar fillimisht ngjarjen në polici, duke e paraqitur si një konflikt të nisur për shkak të bllokimit të rrugës me automjet.
Nga ana tjetër, Jozefin Marku ka deklaruar në mbrojtjen e tij se ishte irrituar pasi, sipas tij, Kuçi e kishte ofenduar më herët në rrjetet sociale.
Hetimet mbeten të hapura, ndërsa pritet që verifikimet e mëtejshme të përcaktojnë dinamikën e plotë të ngjarjes.
