SHOWBIZ / E Mërkurë 9 Shtator 2026, 13:01

U la në arrest shtëpie, zbardhet dëshmia e Jozefin Markut për rastin me Edi Kuçin

Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për ta lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, është zbardhur edhe dëshmia e Jozefin Markut për ngjarjen me Eduard Kuçin.

Në deklarimin e tij, këngëtari ka kërkuar ndjesë për veprimin, duke thënë se gjithçka ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër.

“Kërkoj ndjesë për veprimin. E kam kryer në gjaknxehtësi e sipër. Nuk e njihja më parë Eduard Kuçin. E kam njohur në rrjetet sociale, ku më ka sharë familjen”, ka deklaruar Marku.

Ai ka pretenduar se kontakti fizik mes tyre ka qenë i kufizuar në një goditje të vetme.

“E kam goditur vetëm një herë me shpullë, duke i thënë të më kërkojë falje që më ka sharë familjen”, ka vijuar ai në dëshminë e tij.

Sipas versionit të dhënë nga Marku, konflikti mes tyre nuk kishte nisur nga një njohje e mëparshme personale, por nga përplasjet në rrjetet sociale dhe komentet që Kuçi kishte bërë ndaj familjes së këngëtarit.

Gjykata vendosi masën “arrest shtëpie” për Jozefin Markun, ndonëse Prokuroria kishte kërkuar më herët “arrest me burg”. Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa organet e drejtësisë po verifikojnë rrethanat e plota të rastit dhe përgjegjësinë e personave të përfshirë.