LAJME / E Diel 24 Dhjetor 2023, 21:09

Krishtlindje të zymta në Betlehem

Sheshet kryesore dhe rrugët janë bosh

Duhet të ishte kryeqendra e festës së Krishtlindjes, por lufta në Palestinë ka zbehur jo pak atmosferën festive në vendlindjen e Jezu Krishtit në Betlehem.  Të krishterët palestinezë mbajtën një ceremoni të vogël, ndërsa ndezën qirinj edhe u lutën për paqe në Gaza.

Ministrja palestineze e Turizmit, Rula Ma’ayah, u shpreh se ndryshe nga vitet e kaluara kur rrugët e Betlehemit ishin plot me njerëz që bënin blerje për Krishtlindje këtë vit janë bosh.

Pelegrinët zakonisht dynden në Sheshin Manger, por këtë vit kishat e Betlehemit vendosën modele rrënojash dhe tela me gjemba në solidaritet me popullin e Gazës. Të krishterët përbëjnë rreth 2% të popullsisë në të gjithë Izraelin dhe territoret e pushtuara palestineze.

“E gjithë bota po feston Krishtlindjet këtë vit, por jo Betlehemi, jo vendlindja e zotit tonë Jezu Krisht. Betlehemi po feston Krishtlindjet me trishtim dhe pikëllim për shkak të asaj që po ndodh në Gaza dhe në të gjithë Bregun Perëndimor, në të gjitha Territoret Palestineze.”

Trishtimi shihet tek banorët të cilët këtë vit po e presin Krishtlindjen pa turistë për shkak të luftës në Gaza.

“Nga fillimi i vitit deri në fund të shtatorit kemi pasur më shumë se 2.3 milionë turistë, por që nga lufta e deri më tani nuk kemi asnjë veçanërisht këtu në Betlehem për shkak të frikës.”

Kur udhëheqësit e kishës u mblodhën në Betlehem në fillim të dhjetorit për të shënuar javët para Krishtlindjeve, kishte më pak njerëz se zakonisht për shkak të frikës nga bombardimet.