LAJME / E Mërkurë 16 Shtator 2026, 22:10

E turpshme dhe skandaloze| Prokuria e Hagës reagon pas vendimit – Kështu shkruan tash

Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, e ka cilësuar të rëndësishëm për sundimin e ligjit në Kosovë aktgjykimin e sotëm ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë i shpalli fajtorë katër ish-krerët për përgjegjësi individuale penale për krimet e luftës të ndalimit dhe arrestimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes.

Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, Selimi me 13 vjet, ndërsa Krasniqi me 25 vjet burgim.

West tha se aktgjykimi, sipas saj, është i rëndësishëm për llogaridhënien dhe sundimin e ligjit në Kosovë.

“Vendimi i sotëm, i bazuar vetëm në fakte dhe ligj, është i rëndësishëm për llogaridhënien dhe sundimin e ligjit në Kosovë”, tha West.

Ajo shtoi se gjykata ka konfirmuar se “asnjë individ, pavarësisht pozitës apo rëndësisë politike, nuk është mbi ligjin apo i imunizuar nga përgjegjësia për krime të rënda ndërkombëtare”.

West theksoi se rasti i Zyrës së Prokurorit të Specializuar kishte të bënte me përgjegjësinë individuale penale dhe, sipas saj, nuk kishte për qëllim të sfidonte ndonjë narrativë historike për luftën në Kosovë.

“ZPS-ja ka mbajtur individë përgjegjës për veprimet e tyre, në përputhje me mandatin e saj, asgjë më shumë”, tha ajo.

“ZPS-ja nuk ka ndjekur penalisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, as luftën e zhvilluar për pavarësinë e Kosovës”, shtoi West.

Sipas saj, “individë të caktuar i shfrytëzuan rrethanat e luftës për të kryer krime të rënda”, ndërsa tha se tash këta individë po mbahen përgjegjës.

Në aktgjykim, Trupi Gjykues gjeti se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ishin përgjegjës për arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar të së paku 385 personave, trajtimin mizor të së paku 49 personave, torturimin e 303 personave dhe së paku 96 vrasje.

Sipas ZPS-së, krimet janë kryer ndaj qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime, gjatë periudhës nga prilli 1998 deri më 20 qershor 1999, në komuna të ndryshme të Kosovës dhe në dy zona në veri të Shqipërisë. /Insajderi.org/