
Është vënë në pranga një 29-vjeçar në Tiranë i akuzuar për shpërdorim detyre. Sipas policisë, shtetasi Enio Saraçi ka përvetësuar një shumë parash teksa punonte si operator shitjesh në një subjekt privat.
“Finalizohet nga Sektori i Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor i koduar “Operatori”. Përvetësoi një shumë parash duke shpërdoruar detyrën, kapet dhe vihet në pranga 29-vjeçari.
Specialistët e Sektorit të Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën ekonomiko-financiare dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Operatori’.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë arrestimi i shtetasit E. S., 29 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas dyshohet se ka përvetësuar një shumë parash duke shpërdoruar detyrën operator shitjesh në një subjekt privat, pasi ka orientuar klientët që të kryenin pagesat për blerjet, në emër të tij dhe jo në emër të subjektit. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njoftojnë blutë./tvklan.al
