LAJME / E Shtunë 16 Dhjetor 2023, 00:12

Gaza pa ujë të pijshëm, palestinezët detyrohen të konsumojnë ujë deti

Kushtet humanitare në Gaza po përkeqësohen ditë pas dite. Në enklavën palestineze mungon gjithçka, sidomos uji i pijshëm.

Autoritetet në Gaza, të udhëhequra nga lëvizja ekstremiste, thonë se ka mbetur vetëm 10 për qind e ujit. Në përpjekje për të mbijetuar, disa njerëz pinë ujë nga deti.

“Nuk kemi ujë për shkak të luftës. Vijmë këtu për të pirë ujë deti, edhe pse nuk është e shëndetshme. Nuk kemi ç’të bëjmë”, tha një banor i Gazës, Dina Abu Alaraj.

Ofensiva e nisur që prej 7 tetorit, ditën e sulmit të përgjakshëm të Hamas në territorin izraelit, ka shkatërruar infrastrukturën shëndetësore të Gazës dhe atë të ujësjellësve.

Gjithashtu, përmbytjet e ditëve të fundit, të shkaktuara nga reshjet e dendura e kanë bërë situatën më të vështirë. UNICEF ka paralajmëruar se fëmijët kanë nevojë për ushqim dhe veshje.