
Shërbimet sociale në Angli i kanë kërkuar ndihmë publikut për lokalizimin e katër të rinjve shqiptarë të kategorizuar si të “zhdukur”.
Sipas të dhënave të publikuara nga organizata “Missing People” (“Njerëz të Humbur”), të cilave u referohet gazetari i Top Channel Muhamed Veliu njëri prej tyre kërkohet që prej vitit 2018.
Ai është Bledar Ismailaj në kohën e “zhdukjes” ishte 17 vjeç dhe jetonte në zonën e Kings Lynn, Norfolk.
Ervis Ndreca 17 vjeç është një tjetër i ri që kërkohet pasi është larguar nga shërbimet sociale në Hove, East Sussex prej datës 14/07/2022
Nga zona Sussex është shpallur si i “zhdukur” Akil Dervishi edhe ky i moshës 17 vjeç i parë për herë të fundit në 04/05/2022.
Sikurse kërkohet ndihma e publikun në gjetjen e Denis Haliaj 17 vjeç i cili pasi kishte mbërritur në Angli ishte akomoduar në Manchester. Kontakti i fundit me Denisin ishte në 15/08/2021.
Sipas një raporti të BBC të dhjetorit 2022 “deri në 20 për qind e fëmijëve emigrantë shqiptarë që u vendosën pranë një këshilli lokal në Angli në vitin 2022 janë klasifikuar si të zhdukur.
Këshilli rajonal i Kentit pranoi 197 fëmijë emigrantë shqiptarë të pashoqëruar deri më 31 tetor 2022, por shifrat tregojnë se 39 prej tyre janë zhdukur.
Raportet e medias britanike theksojnë se këta fëmijë të konsideruar si të zhdukur janë në risk ekstrem për t’u bërë viktimë e trafikimit njerëzor, skllavërisë moderne, shfrytëzimit për punë në ndërtim ose lavazhe makinash, si dhe shfrytëzimit kriminal në ferma kanabisi ose në rrjetet e shpërndarjes së drogës (“county lines”).
