LAJME / E Diel 20 Shtator 2026, 17:05

Banoret japin deshmite

Pak minuta para se të qëllohej për vdekje me plumba në trup, shënjestra që shkundi mëngjesin e sotëm Sarandën, Artan Myrtaj ka qenë duke pirë kafe në një lokal pranë kryqëzimit te ish-agjencia e vjetër. Papritmas në vendngjarje janë shfaqur dy persona me motor të cilët thuhet se po lëviznin në drejtim të rrugës “Lefter Talo”.

Të tronditur, dy prej banorëve të zonës ku ndodhi ngjarja shprehen se Artan Myrtaj po pinte kafe në një lokal, me të vënë re autorët dhe pasi u dëgjuan krismat e para, shënjestra tentoi të largohej, po pa sukses.

“Ai piu kafen se ftoi dikush për të pirë kafen këtu. Ai u ul për të pirë kafenë, pastaj njoftoi se do të largohej. U çua të ikte, brenda pak minutash, në 5 metra ata bënë goditjen e parë atje. Ai e kuptoi situatën dhe iku me vrap. Ata e sulmuan. Nuk e kishte shok ai. Në vendin ku ndodhi ngjarja nuk kishte shumë lëvizje, kishte pak njerëz” shprehet për mediat dëshmitari i parë.

Ndërsa dyshohet se autorët kanë qëlluar me gjashtë plumba në drejtim të Myrtajt, çka rezultuan fatale për të dhe lanë të plagosur një qytetar të çastit, që nuk kishte lidhje e ngjarjen.

“Ne ishim brenda, kur dëgjuam të shtënat dolëm. Dëgjuam thuajse 6 të shtëna. Viktima ishte i lagjes, e njihnim” shton më tej një tjetër banore e zonës që ishte e pranishme në momentin e vrasjes së Myrtajt.

Me të dalluar personat e dyshimtë të cilët u shfaqën të maskuar me skafandra, Myrtaj tentoi të ikte nga vendngjarja pa rënë në sy, duke ecur me vrap në drejtim të rrugës “Vangjel Pandi .

Mirëpo lëvizja e tij e papritur u pika menjëherë nga autorët që lëviznin me motor, të cilët e pikasën dhe hapën zjarr ndaj tij duke e qëlluar për vdekje, ndërsa plumbat kapën dhe një kalimtar të çastit, Xhevdet Skëndaj, i cili u nis nga Saranda me helikopter për të marrë mjekim më të specializuar në Tiranë.

Pas ngjarjes, autorët janë larguar me motor dhe vijojnë të jenë në kërkim. Policia ka ngritur pika kontrolli në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës, ndërsa po vijojnë kontrollet për identifikimin dhe kapjen e autorëve që i morën sot jetën Artan Myrtajt.

Ngjarja merr përmasa më tragjike, pasi në momentin kur 44-vjeçari u qëllua për vdekje, në vendngjarje ishte e pranishme dhe mamaja e Myrtajt. Sakaq, banorët e zonës në fjalë janë shprehur të tronditur për vrasjen e Myrtajt, për të cilin kujtojnë dhe momentet e fundit.