LAJME / E Mërkurë 13 Dhjetor 2023, 17:05

Ekskluzive/ Dalin fotot e autorëve të grabitjes së dështuar në Prush

Dyshime se janë përfshirë dhe në dy ngjarje të tjera në Kamëz e Lushnje

Këto janë fotot e 4 grabitësve të maskuar që tentuan të grabisin shtëpinë e një çifti të moshuarish në Prush të Tiranës, mbrëmjen e së shtunës. Kamerat e sigurisë i kanë fiksuar në oborrin e shtëpisë. Në fotot e siguruara nga Tv Klan, shihet se mbajnë maska e kapuça. Dy janë të veshur si policë dhe mbajnë automatikë kallashnikov në dorë. Dy të tjerët kanë sende të forta.

Kanë qëndruar rreth 10 minuta në brendësi të banesës. Rezistenca e 2 të moshuarve dhe mbërritja në kohë e policisë, bëri që plani i tyre të dështonte. Me mbërritjen e policisë, autorët kanë fikur energjinë elektrike. Në tentativë për t’u larguar së bashku me makinën tip “Audi”, ku i priste një bashkëpunëtor, u përfshinë në një shkëmbim zjarri me forcat e rendit.

Burime pranë grupit hetimor i thanë Tv Klan se nga analizimi i kamerave të sigurisë, makina tip “Audi” me targa të dubluara ka humbur gjurmët në zonën e Ndroqit. Ka dyshime se në këtë ngjarje ka marrë pjesë dhe një automjet tjetër që ka marrë 3 nga 4 autorët, të cilët larguan në këmbë nga Prushi.

Nga verifikimet e deritanishme, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që grupi prej 5 personash të ketë marrë pjesë në 2 grabitje të tjera të kryera më parë. Bëhet fjalë për një argjendari në Kamëz që u grabit më 28 Nëntor, një banesë në Lushnje, një ngjarje e ndodhur më 30 Maj.