LAJME / E Martë 11 Gusht 2026, 15:03

Deshi ta vjedh shqiptarin në Barcelonë, por hajduti e pëson fort keq

Një incident i pazakontë është regjistruar në Barcelonë, ku një turist shqiptar ka neutralizuar një person të dyshuar për vjedhje xhepash dhe e ka mbajtur të ndaluar deri në mbërritjen e policisë.

Ngjarja ka ndodhur në stacionin e metrosë Badal, një nga zonat e frekuentuara të transportit publik në Barcelonë.

Sipas raportimeve të mediave spanjolle, i dyshuari, një 29-vjeçar, dyshohet se vepronte si hajdut xhepash duke përdorur teknika të ndryshme shpërqendrimi për t’u vjedhur telefonat celularë dhe sendet personale pasagjerëve në metro.

Megjithatë, këtë herë tentativa e tij nuk përfundoi siç kishte planifikuar.

Sipas raportimeve, turisti shqiptar ndërhyri menjëherë, e neutralizoi të dyshuarin dhe e mbajti të shtrirë në tokë derisa në vendngjarje mbërritën efektivët e policisë katalanase, Mossos d’Esquadra, të cilët e morën në dorëzim 29-vjeçarin.

Pamjet e incidentit, të cilat kanë qarkulluar gjerësisht në rrjetet sociale, tregojnë momentin kur shqiptari e ndalon të dyshuarin në tokë. Në video shihet se gjatë përballjes ai e godet disa herë dhe më pas kërkon llogari për veprimet e tij, ndërsa pret mbërritjen e policisë.

Videoja është shpërndarë me shpejtësi në platforma të ndryshme sociale dhe ka nxitur reagime të shumta. Shumë komentues kanë përgëzuar reagimin e turistit shqiptar, ndërsa të tjerë kanë kujtuar rrezikun që paraqesin përballjet fizike me persona të dyshuar për vepra penale.

Barcelona prej vitesh përballet me një numër të lartë rastesh të vjedhjeve të xhepave, veçanërisht në metro, autobusë dhe zonat turistike, ku hajdutët shfrytëzojnë fluksin e madh të vizitorëve për të kryer vjedhje të shpejta.

Autoritetet spanjolle vijojnë të apelojnë që qytetarët dhe turistët të tregojnë kujdes me sendet personale dhe, në rast se bëhen dëshmitarë të një vepre penale, të njoftojnë menjëherë policinë.

Rasti i fundit ka rikthyer në vëmendje problematikën e vjedhjeve në transportin publik të Barcelonës, ndërsa pamjet e ndërhyrjes së turistit shqiptar vazhdojnë të qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE