
Pas më shumë se dy javësh kërkime intensive, policia ka gjetur këtë të enjte një trup të dekompozuar në një zonë të thellë malore në fshatin Cerujë, mes Tiranës dhe Elbasanit. Dyshimet e para të grupit hetimor janë se bëhet fjalë për Eglant Koçin, 34-vjeçarin që rezultonte i zhdukur prej datës 4 qershor.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se trupi është konstatuar nga dronët e policisë në një humnerë të vështirë për t’u aksesuar. Në vendngjarje janë angazhuar forcat speciale RENEA për të bërë të mundur nxjerrjen e trupit dhe kryerjen e procedurave të identifikimit.
“Në territorin e fshatit Cerrujë, lagjia Domush, është gjetur në proces dekompozimi, një trup njeriu i seksit mashkull. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet dhe verifikimet me qëllim identifikimin e shtetasit, si dhe zbardhjen e rrethanave të tjera të rastit”, njoftoi Policia.
Sipas informacioneve paraprake, një nga elementët që ka ngritur dyshimet se trupi mund t’i përkasë Eglant Koçit është gjetja pranë tij e një çante të zezë, e cila dyshohet se është përdorur nga autori i dyshuar i kësaj ngjarje, Armand Shakaj. Megjithatë, identifikimi përfundimtar pritet të kryhet përmes ekspertizave mjeko-ligjore dhe analizave laboratorike.
Eglant Koçi u pa për herë të fundit më 4 qershor në zonën e sheshit “Wilson” në Tiranë, teksa lëvizte me motomjet. Nga pamjet e publikuara edhe nga Newsbomb.al i riu shihej edhe në një servis automjetesh, vetëm pak orë para se të humbte çdo kontakt me familjarët.
Një ditë më vonë, më 5 qershor familjarët denoncuan zhdukjen e tij në polici, duke vënë në lëvizje autoritetet. Gjatë ditëve në vijim specialistët e Krimeve të Rënda arritën të gjenin motomjetin e 34-vjeçarit pranë zonës së “5 Majit”, ndërsa më pas identifikuan edhe ambientin ku ai dyshohet se ishte dërguar pas rrëmbimit.
Sipas hetuesve, nga ky ambient ka dalë vetëm autori i dyshuar Armand Shakaj i njohur ndryshe si “Mand Dhelpra”, i cili dyshohet se më pas ka transportuar 34-vjeçarin me automjet.
Hetimet janë përqendruar kryesisht te një konflikt i mundshëm që lidhet me kriptovalutat. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se Koçi posedonte në telefonin e tij një sasi të konsiderueshme asetesh digjitale, pistë që konsiderohet ndër motivet kryesore që mund të kenë çuar në rrëmbimin dhe më pas eliminimin e tij.
Policia ka shpallur në kërkim 41-vjeçarin Armand Shakaj, i cili dyshohet si autor i rrëmbimit dhe vrasjes së të riut, mikut të tij. Hetuesit po verifikojnë nëse ai ka vepruar i vetëm apo në bashkëpunim me persona të tjerë.
Një tjetër element i rëndësishëm i dosjes lidhet me automjetin tip “Porsche” që dyshohet se është përdorur për transportimin e trupit. Sipas hetimeve më 6 qershor Shakaj dyshohet se ka përdorur edhe një karrotrec për të lëvizur automjetin drejt zonës së Ibës, me qëllim shmangien e kontrolleve policore dhe fshehjen e gjurmëve.
Verifikimet e kamerave të sigurisë kanë ngritur dyshime se trupi i 34-vjeçarit mund të jetë mbajtur në automjet për rreth një ditë e gjysmë pas humbjes së kontakteve me familjarët.
Gjatë kontrollit të automjetit të dyshuar, ekspertët kriminalistikë konstatuan njolla gjaku në brendësi, të cilat janë dërguar për analiza laboratorike. Rezultatet e ekspertizës pritet të luajnë një rol kyç në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ndërkohë, në kuadër të operacionit është arrestuar edhe 25-vjeçari Enea Zyferi, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Sipas policisë, ai dyshohet se ka ndihmuar Armand Shakajn pas ngjarjes.
Po ashtu, grupi hetimor ka marrë në pyetje familjarë dhe persona të afërt të të dyshuarit, ndërsa vetë Shakaj vijon të jetë në arrati. Sipas hetuesve, ai ka ndërruar disa numra telefoni në përpjekje për t’iu shmangur lokalizimit nga policia, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
