
Tetë qarqe të vendit pritet të përballen këtë fundjavë me rrezik të lartë nga zjarret, në një kohë kur temperaturat parashikohet të rriten deri në 39 gradë Celsius.
Sipas Buletinit të Rreziqeve të publikuar nga Instituti i Gjeoshkencave, situata më problematike parashikohet kryesisht në Ultësirën Perëndimore. Rrezik i lartë pritet në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Gjirokastër dhe Vlorë.
Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Korçë niveli i përgjithshëm i rrezikut paraqitet më i ulët, por në zona të caktuara të tyre parashikohet gjithashtu rrezik i lartë për zjarre.
Mallakastra, rreth 180 hektarë të përfshirë nga zjarri
Situata më problematike aktualisht paraqitet në qarkun e Fierit, ku prej disa ditësh vijon zjarri në disa fshatra të Mallakastrës.
Në Riban, Ngraçan dhe Panahor flakët kanë marrë përmasa të konsiderueshme, duke përfshirë një sipërfaqe prej rreth 180 hektarësh. Situata më kritike raportohet në Panahor.
Për shuarjen e zjarrit po ndërhyhet edhe nga ajri me helikopter, ndërsa në terren janë angazhuar 40 trupa të Forcave të Armatosura, katër mjete zjarrfikëse dhe 55 zjarrfikës.
Sipas autoriteteve, pavarësisht përmasave të zjarrit, deri tani flakët nuk paraqesin rrezik për banesat.
Puna për shuarjen e zjarrit vijon edhe në Dajt, ku flakët kanë përfshirë masivin pyjor në zonën e Priskës dhe Çakalleshit. Sipas Agjencisë së Mbrojtjes Civile, zjarri nuk paraqet aktualisht rrezik për zonat e banuara, ndërsa operacioni për neutralizimin e vatrave vijon.
Zjarre në Librazhd, disa vatra nën kontroll
Edhe në qarkun e Elbasanit prej disa ditësh raportohen vatra aktive. Zjarret janë shfaqur në fshatin Shqiponjë, në malin e Dardhës dhe në Mjekës.
Autoritetet vendore bëjnë të ditur se zjarri në Shqiponjë është vënë nën kontroll, ndërsa vatra në malin e Dardhës është izoluar. Sipas të njëjtave burime, nuk raportohet rrezik për komunitetin.
Në Bashkinë Berat është rindezur ndërkohë zjarri në fshatin Kostren 2. Forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për shuarjen e flakëve.
Mbi 500 forca operacionale në terren
Në operacionet kundër zjarreve në të gjithë vendin janë angazhuar 54 automjete zjarrfikëse dhe 502 forca operacionale. Në mbështetje të tyre janë vënë 110 efektivë të Forcave të Armatosura, tre helikopterë dhe avioni “Air Tractor” i Forcës Ajrore. Rritja e temperaturave gjatë fundjavës pritet të shtojë rrezikun për përhapjen e zjarreve, veçanërisht në qarqet e klasifikuara me nivel të lartë rreziku, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
