LAJME / E Diel 2 Gusht 2026, 15:03

Babai shkoi te banesa e djalit në Prishtinë – theu derën dhe kanosi familjen

Një konflikt familjar në Prishtinë është shndërruar në rast penal, pasi një burrë dyshohet se ka shkuar me një sopatë te banesa e djalit të tij, ku ka dëmtuar derën e hyrjes dhe ka shkaktuar frikë te anëtarët e familjes, përfshirë edhe fëmijët që ndodheshin brenda.

Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është B.J., rreth 55 vjeç, ndërsa viktimë është djali i tij, P.J., rreth 32 vjeç.

Sipas informacioneve të siguruara, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 14 korrikut, rreth orës 00:30, në rrugën “Hajdar Dushi” në Prishtinë.

Viktima ka deklaruar para hetuesve se babai i tij, me të cilin nuk jeton prej një kohe të gjatë, kishte shkuar te banesa dhe kishte tentuar të hynte me forcë në objekt.

Gjatë hetimeve, Policia ka siguruar pamje nga kamerat e sigurisë, të cilat, sipas burimeve, e shfaqin të dyshuarin duke tentuar të hyjë në banesë dhe duke goditur derën e hyrjes me një sopatë. Si pasojë e goditjeve është thyer xhami i derës dhe janë shkaktuar dëme materiale.

Nëna e viktimës është intervistuar në cilësinë e dëshmitares dhe ka deklaruar se para se të dëmtonte derën, i dyshuari kishte kërkuar që djali i tij të dilte jashtë. Sipas deklarimit të saj, sjellja e tij ka shkaktuar panik dhe shqetësim te familjarët, veçanërisht te fëmijët që ndodheshin në banesë në momentin e incidentit.

Pas grumbullimit të provave materiale, deklaratave të palëve dhe analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, hetuesit kanë konsultuar rastin me Prokurorin e Shtetit.

Më 1 gusht, rasti është rikualifikuar dhe ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë penale për veprat “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” dhe “Kanosje”.

Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të ndërmarrë veprimet e mëtejshme ligjore në përputhje me rezultatet e hetimit.

Shënim: Personi i përmendur në këtë rast konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij eventuale të provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE