LAJME / E Mërkurë 22 Korrik 2026, 22:10

Të premten ndryshon qeveria, Ilir Kulla: Rama nuk shpëton me ndërrim emrash, pritet "luftë 360 gradë", ja zgjidhja që e shpëton

Teksa të premten pritet mbledhja e qeverisë dhe e Grupit Parlamentar të PS-së në Pallatin e Brigadave, analisti thotë se kryeministri ka nevojë për një ekip politik të gatshëm për “luftë 360 gradë”

Teksa në Partinë Socialiste flitet për një riformatim të kabinetit qeveritar në mbledhjen e së premtes në Pallatin e Brigadave, analisti dhe eksperti i sigurisë Ilir Kulla vlerëson se kryeministri Edi Rama nuk ka nevojë thjesht për ndryshim emrash, por për një ekip politik që të përballojë situatën e krijuar nga protesta dhe klimën e tensionuar politike.

I ftuar në podkastin “Të Pashoq”, Kulla u shpreh se Rama ka bërë disa herë ndryshime në qeveri, por sipas tij, problemi nuk qëndron te zëvendësimi i ministrave.

Jo, tashmë është rasti për të parë se çfarë ndryshimesh do të bëjë. Sepse nuk është vetëm çështje ndryshimi emrash. Rama ka ndryshuar shumë emra. Rama e di një gjë shumë mirë, që po të mos jetë Rama, ata të gjithë bashkë nuk e bëjnë dot vezën dhe ikin brenda ditës. Pra, Rama është forca e tyre, por Rama është edhe dobësia e tyre. Kështu që Rama e di shumë mirë dhe duhet të krijojë një ekip dhe një skuadër që do të jetë e gatshme për luftë. Po luftë 360 gradë“, u shpreh Kulla.

Sipas analistit, nëse kryeministri synon një rifreskim real të qeverisë, ai duhet të rikthehet te Partia Socialiste dhe te njerëzit që kanë mbështetur ndër vite këtë forcë politike.

Çështja është që, për të bërë emra plotësisht politikë, Rama duhet t’i kthehet partisë. Sepse gjysma e atyre njerëzve që kanë dalë në shesh, në zgjedhjet e fundit kanë votuar Partinë Socialiste. Këta njerëz duhet të shkojnë poshtë te baza dhe baza i sheh në sy e u thotë: ‘Na gënjyet një herë, dy herë, tre herë, katër herë, pesë, gjashtë, shtatë herë’. Këto historitë se hapëm kapitujt apo bëmë reforma, te baza nuk kanë më asnjë ndikim“, tha ai.

Kulla solli edhe një shembull nga përvoja e tij politike gjatë qeverisjes së Fatos Nanos, duke thënë se qytetarët nuk binden nga statistikat apo arritjet e shpallura nga qeveria, por nga zgjidhja e problemeve të tyre të përditshme.

Më kujtohet periudha kur isha pranë Fatos Nanos dhe ishim në fushatë në Korçë. Ne krenoheshim me reformat që kishte bërë qeveria, por fshatarët na thoshin: ‘O zotëri, unë kam hallet e mia. Ke ndonjë gjë që të ma zgjidhësh sot këtë hall?’ Kjo ishte edhe një nga arsyet pse humbëm zgjedhjet e vitit 2005. Politika nuk matet vetëm me reformat që thua se ke bërë, por me aftësinë për t’u dhënë përgjigje problemeve të njerëzve“, deklaroi Kulla.

Në përfundim, analisti tha se sfida kryesore e kryeministrit nuk është vetëm përbërja e kabinetit të ri, por mënyra se si do të rindërtojë marrëdhënien me partinë dhe qytetarët.

Problemi është me cilin instrument zoti Rama do t’i rikthehet dialogut me partinë e vet, me cilin instrument do të dialogojë me njerëzit që janë në shesh dhe që përfaqësojnë popullin, e mbi të gjitha me cilët njerëz do të qeverisë“, përfundoi Kulla, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE