LAJME / E Premte 5 Qershor 2026, 11:11

A do të marrin fund kolonat me kilometra? Nga 8 korriku pritet lehtësim në kalimin e kufijve - ja qfarë u vendos

Udhëtarët që kalojnë kufirin me Greqinë mund të përballen me pritje më të shkurtra gjatë sezonit veror, pasi autoritetet greke kanë parashikuar masa lehtësuese për përshpejtimin e qarkullimit në pikat kufitare.

Sipas përgjigjeve zyrtare të zëvendësministrit grek për Mbrojtjen e Qytetarëve, Ioannis Lampropoulos, në rastet kur ka fluks të madh automjetesh dhe kolona të gjata, regjistrimi i udhëtarëve do të mund të kryhet pa marrjen e të dhënave biometrike. Kjo masë do të jetë në fuqi deri më 8 korrik 2026, me mundësi zgjatjeje automatike deri më 6 shtator nëse trafiku mbetet i lartë.

Vendimi vjen pas reagimeve të shumta për kolonat kilometrike të krijuara në pikat kufitare tokësore, veçanërisht në pikën kufitare të Evzonit, e njohur në Greqi si porta kryesore hyrëse dhe dalëse e vendit.

Sipas autoriteteve greke, rregullorja evropiane për Sistemin e Hyrje-Daljeve (EES) duhet të zbatohet, por legjislacioni parashikon përjashtime të përkohshme në raste të jashtëzakonshme. Kjo do të thotë se udhëtarët do të regjistrohen normalisht në sistem, por pa fotografim dhe pa marrjen e gjurmëve të gishtërinjve, me qëllim përshpejtimin e procedurave kufitare.

Sistemi i ri EES, i cili hyri plotësisht në fuqi më 10 prill 2026, ka zëvendësuar vulosjen tradicionale të pasaportave për shtetasit e vendeve të treta që hyjnë ose dalin nga zona Shengen. Sistemi regjistron në mënyrë elektronike hyrjet dhe daljet, duke përdorur të dhëna biometrike si fotografia e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve.

Autoritetet greke shpresojnë se masat e reja do të reduktojnë ndjeshëm pritjet e gjata në kufi gjatë muajve të verës, kur fluksi i turistëve dhe udhëtarëve arrin kulmin, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE