
Nga ngjarja nuk ka të lënduar
Të tjera të shtëna me armë zjarri janë regjistruar këtë të diel, këtë herë në Kamëz. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi në rrugën “OSBE”. Për shkaqe momentalisht të paqarta, 33-vjeçari Jetmir Koleci, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të dy vëllezërve Ilir Halili, 45 vjeç, dhe Astrit Halili, 39 vjeç, dhe më pas është larguar.
Nga të shtënat fatmirësisht nuk ka persona të dëmtuar.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti tip “Golf” i autorit të dyshuar, dhe vijon puna nga shërbimet e Policisë për kapjen e tij. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Burime paraprake për gazetarin Besar Bajraktaraj bëjnë të ditur se autori i dyshuar Koleci ka lëvizur rreth 3 apo 4 herë me mjetin e tij në rrugën ku ka ndodhur ngjarja dhe ka xhiruar gomat.
Vëllezërit Ilir dhe Astrit Halili kanë dal për t’u sqaruar, se pse po xhironte gomat. Në moment, pasi ka dalë nga makina, 33-vjeçari Koleci ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar. Sipas dëshmive të vëllezërve Halili, ka qëlluar drejt tyre, por hetuesit kanë dyshime pasi kanë qenë në largësi rreth 1 metër.
Hetuesit dyshojnë se Koleci ka qëlluar nga frika në ajër dhe më pas është larguar me shpejtësi në këmbë.
Më herët të shtëna me armë zjarri u regjistruan edhe në qytetin e Fierit. Një 30-vjeçar hapi zjarr në drejtim të një berberhaneje. Edhe në këtë rast fatmirësisht nuk pati të lënduar./tvklan.al
