LAJME / E Shtunë 16 Dhjetor 2023, 00:12

21-vjeçari në Fier merret peng për 3 orë, në pranga dy persona. Arrestohet edhe një polic

Një sherr për motive të dobëta, i ndodhur dy ditë më parë, u bë shkak për dhunë e pengmarrje në Fier. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se pre ra një 21-vjeçar, i cili u mbajt me forcë nga 3 persona, për rreth 3 orë. 2 persona u vunë në pranga, ndërsa i treti u shpall në kërkim.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, pas njoftimit të marrë nga një shtetas se disa shtetas i kanë marrë me forcë vëllain dhe automjetin me të cilin ai po udhëtonte, organizuan punën dhe falë veprimeve të shpejta operacionale hetimore finalizuan operacionin policor të koduar “Ferras”, gjatë të cilit u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe arrestimi i dy prej autorëve, Kejvi Brahimllari, 26 vjeç dhe Elisiano Abazaj, 25 vjeç, banues në Fier, si edhe po punojnë për kapjen e bashkëpunëtorit tjetër, shtetasit A. Z., 32 vjeç, banues në Mallakastër, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Vjedhja me dhunë” të kryera në bashkëpunim. Nga veprimet hetimore rezultoi se ngjarja ka ndodhur në fshatin Ferras, Fier, ku autorët, për shkak të një debati që kanë pasur para 2 ditësh, për motive të dobëta, me kushëririn e shtetasit H. T., 21 vjeç, kanë ndaluar automjetin me të cilin ky shtetas po udhëtonte, e kanë dëmtuar atë dhe e kanë marrë me forcë për rreth 3 orë.”

Për ngjarjen policia vuri në pranga edhe një efektiv të Shqiponjave, i cili nuk raportoi ngjarjen.

“Gjithashtu, nga kryerja e veprimeve hetimore rezultoi se punonjësi i policisë Gestian Ymeraj, 31 vjeç, banues në Fier, me detyrë trup shërbimi në seksionin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ka pasur dijeni për ngjarjen por nuk ka njoftuar strukturat e Policisë, për të cilin u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.”

Policia sekuestroi edhe makinën me të cilën autorët morën me forcë 21-vjeçarin, ashtu sikurse makinën e vetë të riut që autorët e kishin marrë dhe fshehur në fshatin Ferras./tvklan.al