LAJME / E Premte 21 Gusht 2026, 17:05

18-vjeçarja gjendet e vdekur pas 8 ditësh kërkime, policia i kërkon falje familjes pasi ...

Një gabim i rëndë në komunikimin e autoriteteve australiane i dha për pak minuta shpresë familjes së një 18-vjeçareje të zhdukur, përpara se të konfirmohej lajmi tragjik se ajo kishte humbur jetën.

Lily Hooper ishte në kërkim prej tetë ditësh pasi ishte nisur e vetme për një ecje në Parkun Kombëtar Nattai, në New South Wales. E reja ishte larguar nga Oakdale më 12 gusht dhe pritej të kthehej në shtëpi brenda së njëjtës ditë.

Mosrikthimi i saj ngriti menjëherë alarmin dhe familjarët njoftuan autoritetet. Në zonë nisi një operacion i gjerë kërkimi, në të cilin u angazhuan disa struktura të emergjencës dhe ekipe shpëtimi.

Për ditë me radhë, kërkimet u zhvilluan në një terren të vështirë dhe të izoluar. Mëngjesin e së enjtes erdhi lajmi që të gjithë prisnin: informacioni i shpërndarë fillimisht ishte se Lily ishte lokalizuar dhe ishte gjallë.

Sipas CNN, lajmi solli menjëherë lehtësim dhe emocione mes personave të përfshirë në operacion. Edhe familjarët e 18-vjeçares nisën të festonin, të bindur se pas më shumë se një jave ankthi ajo do të kthehej e gjallë në shtëpi.

Informacioni arriti deri te kryeministri i New South Wales, Chris Minns, i cili gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë nga një takim i një komisioni parlamentar njoftoi publikisht se e reja ishte gjetur.

Por vetëm pak minuta më vonë situata ndryshoi tërësisht.

Kryeministri u detyrua të korrigjonte deklaratën, pasi autoritetet konfirmuan se Lily nuk ishte gjetur e gjallë. Ekipet e kërkimit kishin lokalizuar trupin e pajetë të 18-vjeçares.

Minns shprehu trishtimin për lajmin dhe për situatën e krijuar nga informacioni i pasaktë që ishte përhapur menjëherë pas gjetjes së saj.

Policia e New South Wales pranoi më pas se kishte ndodhur një problem serioz në zinxhirin e komunikimit.

Shefi i Policisë, Mal Lanyon, kërkoi publikisht falje për gabimin, veçanërisht për dhimbjen shtesë që mund t’i ishte shkaktuar familjes së Lily-t. Sipas tij, informacioni për lokalizimin e së resë ishte interpretuar gabimisht në momentet e para dhe më pas ishte përhapur me shpejtësi mes personave të angazhuar në operacion.

Në realitet, njoftimi fillestar lidhej me gjetjen e trupit të 18-vjeçares dhe jo me shpëtimin e saj.

Autoritetet kanë paralajmëruar se do të shqyrtojnë mënyrën se si ndodhi keqkomunikimi, ndërsa paralelisht kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e vdekjes së Lily Hooper.

Zona ku u zhvilluan kërkimet ndodhet rreth 80 kilometra nga Sidnei dhe njihet për kushtet e vështira të terrenit. Parku Kombëtar Nattai ka zona të thepisura, shkëmbinj dhe hapësira të izoluara që e komplikojnë ndjeshëm lëvizjen dhe operacionet e shpëtimit.

Kushtet atmosferike e vështirësuan edhe më shumë operacionin tetëditor. Rajoni ishte përballur me erëra të forta dhe temperatura të ulëta gjatë natës, ndërsa ekipet e kërkimit vazhdonin përpjekjet për lokalizimin e 18-vjeçares.

Tashmë hetimi pritet të sqarojë jo vetëm se çfarë i ndodhi Lily Hooper gjatë qëndrimit në park, por edhe se si një informacion i gabuar arriti deri te familja dhe zyrtarët më të lartë të shtetit, duke krijuar për pak minuta bindjen se kërkimet kishin përfunduar me shpëtimin e saj, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE