
Artistja amerikane Lizzo vitin e fundit ka njohur sukses të madh me projektet e saj, madje së fundmi është një prej këngëtareve të përfshira në soundtrack-un shumë të suksesshëm të filmit "Barbie", megjithatë përtej karrierës, gjërat nuk po shkojnë aq mirë në aspektin e saj personal dhe shumë shpejt atë ligjor.
Kështu, tre ish-balerina që kanë punuar për Lizzo-n e kanë paditur atë për ngacmim seksual dhe krijimin e një mjedisi armiqësor pune. Arianna Davis, Crystal Williams dhe Noelle Rodriguez janë tre vajzat që kanë ngritur padinë, ku ndër të tjera shpjegojnë se ishin të detyruara të duronin sjellje denigruese nga këngëtarja, madje u ishte bërë presion që të merrnin pjesë në disa shfaqje vërtetë shqetësuese (seksuale) për të.
Në padi thuhet se anëtarët me ngjyrë të trupës së kërcimit të artistes janë trajtuar ndryshe nga të tjerët dhe u pushuan nga puna pasi u akuzuan si dembele dhe joprofesioniste. Po ashtu balerinat pretendojnë se as nuk kanë marrë pagesën për të cilën kishin rënë dakord, si pjesa tjetër e stafit, duke përfituar vetëm 25% të pagës javore gjatë kohës që nuk performonin në turne, ndërsa interpretuesit e tjerë morën 50%.
Deri më tani vetë Lizzo apo përfaqësues të saj nuk kanë bërë asnjë reagim zyrtar, megjithatë duhet ta bëjnë së shpejti, pasi duhet edhe t'i përgjigjen ligjërish padisë.
