
Një nxënës 13-vjeçar ka sulmuar me thikë një mësuese brenda një shkolle në Romë, pasi fillimisht e kishte spërkatur në fytyrë me sprej piperi.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm në shkollën e mesme “Giovanni Verga”, në Via Giovanni Gussone, në zonën Centocelle të kryeqytetit italian.
13-vjeçari iu afrua mësueses dhe përdori sprejin e piperit ndaj saj. Më pas situata u përshkallëzua dhe nxënësi e goditi gruan me thikë.
Pas sulmit, shkolla njoftoi shërbimet e emergjencës përmes numrit 112. Karabinierët e stacionit Centocelle mbërritën në ambientet e shkollës, ndërsa ekipet mjekësore i dhanë ndihmën e parë mësueses.
Gruaja pësoi tronditje nga sulmi dhe mori ndihmë mjekësore. Sipas të dhënave të para, ajo ndodhet në gjendje shoku, por plagët e marra nuk i rrezikojnë jetën.
Karabinierët kanë nisur hetimet për të rindërtuar dinamikën e sulmit dhe për të përcaktuar rrethanat që çuan 13-vjeçarin drejt këtij veprimi.
Deri tani nuk është bërë publik motivi i sulmit dhe nuk ka të dhëna të tjera për atë që ka ndodhur mes nxënësit dhe mësueses përpara incidentit.
Hetimet pritet të përcaktojnë edhe mënyrën se si 13-vjeçari kishte siguruar thikën dhe sprejin e piperit që përdori gjatë sulmit.
