LAJME / E Premte 18 Shtator 2026, 13:01

Nexhmedin Spahiu: Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë është një lajm pozitiv për Kosovën

Studiuesi i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu, ka deklaruar se Gjykata Speciale në Hagë nuk duhet të shkrihet, ndërsa aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së e ka cilësuar si pozitiv në një aspekt.

Në një lidhje live për emisionin “Top Story”, Spahiu tha se shpërbërja e Gjykatës Speciale në këtë fazë, sipas tij, do të ishte shenjë jo serioziteti për Kosovën.

Ai u ndal edhe te fakti se katër ish-krerët e UÇK-së nuk u shpallën fajtorë për krime kundër njerëzimit. Sipas tij, ky element është pozitiv për Kosovën, duke argumentuar se vendimi nuk konstatoi përgjegjësi për këtë kategori krimesh.

Gjykata Speciale zyrtarisht ka konfirmuar se të akuzuarit u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, por u shpallën fajtorë për katër kategori krimesh lufte.

“Në kohën kur është themeluar gjykata ka pasur kohë dhe ka qenë momenti kur të mendohet të votohet apo të mos votohet, zonja që keni në studio nuk e ka votuar, kolegët e saj e kanë votuar, nuk do të hyjë se kush ka bërë mirë apo keq, zonja që nuk e ka votuar apo ata që e kanë votuar. Nuk ka qenë e lehtë të kundërshtohen amerikanët në atë kohë, madje dhe në këtë kohë. Të zhbëhet Gjykata Speciale tani, tregon jo seriozitet kulmor të Kosovës. Është tepër pozitiv kur thotë se UÇK-ja nuk ka bërë krime kundër njerëzimit, nuk ka përndjekur popullatën serbe në Kosovë. Ndaj Vuçiç, Daçiç e të tjerë janë të tërbuar nga një vendim i tillë, sepse propagandën e tyre e hedh përtokë dhe kjo është pozitive për Kosovën”, u shpreh ai duke ngjallur menjëherë reagime në studio.

Ai foli edhe për mënyrën se si ishte themeluar Gjykata Speciale, duke thënë se Kosova sot duhet të marrë parasysh seriozitetin e situatës dhe sfidat që lidhen me procesin gjyqësor.