
Në prag të 16 shtatorit, ditës kur pritet vendimi në Hagë për ish-krerët e UÇK-së, “Ftesë në 5” solli një bisedë të ngarkuar me emocione, kujtime dhe mesazhe mbështetjeje.
Leonora Jakupi, Gold AG, Blero dhe Ana Kabashi folën për angazhimin e tyre në mbështetje të ish-liderëve të UÇK-së, por edhe për historitë personale që i lidhin me luftën dhe Kosovën.
Një nga momentet më prekëse ishte rrëfimi i Leonora Jakupit. Këngëtarja nuk i mbajti dot lotët teksa foli për mundësinë e dënimit të njerëzve që, sipas saj, luftuan dhe kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Emocionet u bënë edhe më të forta kur në bisedë u përfshi nëna e saj. Duke rikthyer kujtimet e viteve të luftës, nënë e bijë shprehën mirënjohjen ndaj shqiptarëve që strehuan dhe ndihmuan popullin e Kosovës gjatë luftës, duke i mbajtur, siç u shprehën ato, “me bukë, ujë dhe shumë dashuri”.
Një ditë përpara vendimit të shumëpritur në Hagë, rrëfimet në “Ftesë në 5” sollën kështu jo vetëm zërin e artistëve, por edhe emocionet dhe kujtesën e një brezi që luftën dhe pasojat e saj i ka ende të gjalla.
